Kim Mehmeti “godet” akademikun Kujtim Shala që shau me nënë në parlament

Aktuale

Kim Mehmeti “godet” akademikun Kujtim Shala që shau me nënë në parlament

Nga: A.Zh Më: 25 mars 2023 Në ora: 10:58
Kim Mehmeti

Akademiku, studiuesi i letërsisë, profesori i letërsisë dhe poeti Kujtim Shala, ka sharë rëndë në seancën e fundit të Kuvendit të Kosovës.

Teksa Memli Krasniqi ishte duke e replikuar kryeministrin Albin Kurti për çështjen e dialogut, në fund të fjalimit të tij u dëgjua një e sharë në Kuvend.

“Phuu të q****a tradhtarin e nanës”, është fraza që është thënë nga deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës Kujtim Shala.

Për gjuhën e tij joparlamentare, ka reaguar edhe publicisti dhe analisti shqiptar në Maqedoni, Kim Mehmeti, përcjell Bota sot.

Ai ka thënë se akademikët e Kuvendit të Kosovës po shajnë ashtu si nuk u ka hije banditëve të lagjes, derisa rrugaçët po nisin t’i duken si akademikë.

Reagimi i Kim Mehmetit në Facebook:

Kur akademikët shajnë si rrugaçë, rrugaçët të duken si akademikë!

Kohëve të fundit është duke u shtruar edhe publikisht një pyetje e turpshme, perverse dhe përbuzëse për shqiptarët: mos vallë ne si popull kemi shkuar për lesh?!

Nuk e di nga ai guxim që të shtrosh një pyetje të tillë. Mbase ajo e shprehë dëshpërimin në rritje te populli ynë, te ky popull i cili kur i sheh dhe i dëgjon akademikët – si për shembull atë të Kuvendit të Kosovës – si shajnë ashtu siç nuk u ka hije as banditëve të lagjes, rrugaçët nisin t’i duken si akademikë.

Është e vërtetë se te ne shqiptarët në masë të madhe është shlyer kufiri i rrugaçërisë dhe ai i vlerave njerëzore, por megjithatë mos harroni se kjo shqiptari ka edhe akademikë të çmueshëm dhe të llojit të Rexhep Ismajlit, Eqrem Bashës, Hivzi Islamit... e nuk janë të gjithë të sojit të atij që në parlamentin e Kosovës shanë si rrugaç.

Pastaj është e vërtetë se rinia shqiptare i braktisë trojet tona si kurrë më parë, por nuk duhet harruar se thuajse gjithmonë, ne kemi qenë si kopsht pa rojtarë, nga e cila lulishte kush ka mundur ka shkulë ndonjë filiz të porsambirë. Por megjithatë, ai kopsht kurrë nuk ka mbetur djerrinë e mbuluar me kullosa të këqija.

Ky dëshpërim që na ka mbërthyer sot, ka të bëjë edhe me atë se të gjithë nga pak ndjehemi si pjesëtarë të spektakleve që promovojnë shthurje dhe amoral, apo pse na duket se rrënjët e ndershmërisë, fisnikërisë dhe vlerave shqiptare kanë hasur në gurishte që nuk i lë ta ushqejnë trungun kombëtarë.

Por mos iu dorëzoni dëshpërimit: ka kohë kur më të zëshëm janë akademikët që shajnë si ‘arabaxhi’, por megjithatë, shqiptarinë e mbajnë në këmbë ata që e kanë kuptuar se njeriu lind e rritet me fytyrën që ia ka dhënë Zoti, por plaket e vdesë me fytyrën që ia ka zgjedhur vetvetes - me atë të turpit, apo atë të njerëzores!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat