Vukashinoviq u arrestua për sulm ndaj kameramanit dhe ekipit të RTK-së

Aktuale

Vukashinoviq u arrestua për sulm ndaj kameramanit dhe ekipit të RTK-së

Më: 19 qershor 2023 Në ora: 17:17
Foto nga vendngjarja

Policia e Kosovës ka konfirmuar se i arrestuari Urosh Vukashinoviq, është prangosur si i dyshuar për sulmet e kryera prej tij, ndaj gazetarëve, më 16 qershor në Leposaviq.

Konkretisht, Policia e Kosovës ka saktësuar për RTKlive se i njëjti është prangosur lidhur me rastin e  sulmit fizik që ka kryer ndaj kameramanit të RTK-së, Bardh Bekteshi.

"Po, arrestimi i tij është kryer për këtë rast”, konfirmojnë nga Policia e Kosovës, por pa dhënë detaje të tjera.

Ndërkohë, RTKlive ka mësuar se rasti i sulmit ndaj ekipit të RTK-së dhe në mënyrë të veçantë ndaj kameramanit të RTK-së, Bardh Bekteshi, është duke u trajtuar tashmë nga policia në Prishtinë.

Sulmi ndaj kameramanit dhe ekipit të RTK-së, tronditi opinionin publik, fal pamjeve të xhiruara me telefon nga gazetarja e mediumit publik, Venera Xhoxhaj.

Kjo e fundit, duke ikur nga sulmi i huliganëve në veri, arriti ta menaxhojë telefonin e saj, duke bërë që të xhiroheshin pamjet e rënda kur kameramani Bekteshi shtyhet dhe përveç dëmtimit të kamerës, rrëzohet dhe goditet me shqelma.

Këto pamje janë transmetuar nga shumë media vendore e ndërkombëtare dhe janë publikuar në llogaritë e rrjeteve sociale nga shumë personalitete të ndryshme në Kosovë dhe të huaj.

Organizata të ndryshme vendore e ndërkombëtarë kanë reaguar ashpër ndaj këtyre sulmeve, të cilët i kanë bërë thirrje policisë dhe KFOR-it që t’i mbrojnë gazetarët.

Ndërkohë, aktet e tilla të dhunës ndaj gazetarëve të kryera nga bandat kriminale në veri, janë dënuar nga të gjithë drejtuesit e institucioneve vendore e ndërkombëtare, por jo edhe Lista Serbe.

Madje një indiferentizëm i tillë i kësaj partie politike që pretendon  se mbron interesat e serbëve të Kosovës, ka shtyrë të reagojë edhe ambasadorin e Gjermanisë në Kosovës, Jorn Rohde.

Sulmet ndaj mediave gjatë situatës së fundit në veri të vendit kanë qenë të shumta, duke bërë që grupe kriminale serbësh, t’i sulmojnë ata me mjete të forta.

Ndërkohë, të njëjtit kanë lënduar edhe rreth 30 ushtarë të KFOR-it. Kryeministri Albin Kurti nga ana tjetër ka deklaruar se pa u vendosur drejtësia dhe ligjshmëria në tërë atë pjesë të Republikës, nuk do të ketë ulje të numrit të pjesëtarëve të policisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat