Kurti jep detaje mbi takimet që bëri në Mbretëri të Bashkuar

Aktuale

Kurti jep detaje mbi takimet që bëri në Mbretëri të Bashkuar

Më: 27 qershor 2023 Në ora: 18:36
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka dhënë detaje mbi vizitën e tij në Mbretëri të Bashkuar.

Kurti njofton se kjo ka qenë vizita e tretë zyrtare e tij në më pak se dy vite.

Përgjatë qëndrimit në Mbretëri të Bashkuar, kryeministri u takua me Sekretarin e Punëve të Jashtme, James Cleverly, me Kryetaren e Komisionit Parlamentar për Politikë të Jashtme, Alicia Kearns, si dhe me Sekretarin në hije të Punëve të Jashtme, David Lammy dhe Ministrin në hije për Evropë, Stephen Doughty, e bashkëpartiakët e tij laburistë.

Kurti bisedoi me ta për situatën aktuale në veri të vendit si dhe ndërhyrjen humanitare të bërë në vitin 1999.

Ky është njoftimi i plotë:

Sapo përfundova vizitën time të tretë zyrtare në Mbretërinë e Bashkuar në më pak se dy vite.

Gjatë këtyre dy ditëve të fundit, u mirëprita ngrohtësisht nga aleatë e partnerë të Kosovës si në ekzekutivin Britanik ashtu edhe në Parlament.

Me Sekretarin e Punëve të Jashtme, James Cleverly me të cilin jam në kontakt e komunikim të rregullt, diskutuam për marrëdhëniet dypalëshe, për zhvillimet në Kosovë dhe për rëndësinë e shtensionimit të plotë të situatës në katër komunat në veri të vendit. Republika e Kosovës është përherë mirënjohëse për mbështetjen e palëkundur e të pandërprerë të Mbretërisë së Bashkuar.

Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Politikë të Jashtme, Alicia Kearns ka qenë një zë i fuqishëm mbështetës i Republikës sonë në Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar. Me të diskutuam për veprimet agresive dhe sulmet e sponsorizuara nga Serbia mbi KFOR-in, Policinë e Kosovës dhe gazetarët në veri të vendit dhe qëndrimin tonë parimor e demokratik për depërshkalëzim që në qendër ka sundimin e ligjit.

Jemi me fat që në Pallatin e Westminster kemi shumë miq. Atje u takova me deputetë të Grupeve Parlamentare të Mbretërisë së Bashkuar, APPG (All Party Parliamentary Group), konservatorë, liberal-demokratë e laburistë.

Nga Partia Laburiste, një takim të ndarë zhvillova edhe me Sekretarin në hije të Punëve të Jashtme, David Lammy dhe Ministrin në hije për Evropë, Stephen Doughty.

E miq laburistë kemi edhe jashtë institucioneve por që ishin kyç aq sa i drejtonin ato. Republika e Kosova dhe populli i saj i janë përherë mirënjohës ish-kryeministrit britanik Tony Blair për rolin dhe vendosshmërinë e tij për ndërhyrjen humanitare në Kosovë e cila ndali përfundimisht gjenocidin e shtetit serb mbi shqiptarët vendas.  Në takimin miqësor që patëm e njoftova për arritjet e Kosovës në rrafshin ekonomik, social, të të drejtave të njeriut, dhe institucional, duke ndarë me të bindjen që Kosova është histori e etabluar e suksesit të dyfishtë: intervenimit të NATO-s dhe i bashkëdyzimit të progresit ekonomik dhe atij demokratik.

Gjatë qëndrimit tim në Londër, morëm lajmin e gëzueshëm për lirimin e tre policëve të Kosovës që ishin rrëmbyer nga forcat speciale ushatarke e policore të Serbisë me 14 qershor. 13 ditë pas ata janë në Kosovë e me familjet e tyre. Nesër do t’i takoj për t’i falënderuar për qëndresën dhe për t’u uruar mirëseardhje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat