Shkëlzen Gashi nxjerr detaje të rënda mbi vdekjen e Fazli Greiçevcit: Ja si tentoi UDB ta maskonte mbytjen e tij nga torturat

Aktuale

Shkëlzen Gashi nxjerr detaje të rënda mbi vdekjen e Fazli Greiçevcit: Ja si tentoi UDB ta maskonte mbytjen e tij nga torturat

Nga: A.Zh Më: 17 gusht 2023 Në ora: 09:39
Shkëlzen Gashi

Analisti politik Shkëlzen Gashi, ka përkujtuar Fazli Greiçevcin, në 59-vjetorin e mbytjes së tij në tortura nga organet e UDB-së.

Ai ka thënë se dashamirët e shumtë e kishin lutur që të fshihej nga UDB-ja, por Greiçevci ishte dorëzuar vetë në polici, përcjell Bota sot.

Sipas Gashit, UDB ishte përpjekur ta maskonte mbytjen e Greiçevcit si vdekje të shkaktuar nga një sëmundje e rrezikshme infektive, por mjeku shqiptar Ali Sokoli, nuk kishte pranuar të nënshkruante dokumentin e rremë për të.

Reagimi i plotë i Gashit në Facebook:

Sot është 59 vjetori i mbytjes në tortura të Fazli Greiçevcit:

Më 8 qershor 1964 kur u arrestua Kryetari i LRBSh-së, Adem Demaçi, UDB-ja arrestoi edhe mbi 300 anëtarë të tjerë të LRBSh-së. Pasuan hetimet, të shoqëruara me tortura të llahtarshme.

Bashkëpunëtori i Demaçit, mësuesi e poeti Fazli Greiçevci, i cili u dorëzua vetë në polici në fillim të gushtit të vitit 1964, u torturua meqë refuzoi të fliste.

Fazliu vdiq më 17 gusht 1964 nga torturat e pandërprera. Ai ishte i vetëdijshëm se po ndiqej nga UDB-ja, meqë dashamirës të shumtë e kishin lutur dhe këshilluar që të fshihej e të mos dilte. Fazliu jo vetëm që kishte dalë, por madje edhe ishte dorëzuar vetë në polici. Vendosmërinë e tij e gjejmë në këto vargje të tij:

Kam dalë dhe prore kam me dalë

Bregoret me sy çiltërie me i soditë

Kurrë kangën time s’kam m’e ndalë

Rrugët e mbara tue i shndritë!

Organet e UDB-së ishin përpjekur ta maskonin mbytjen e Fazli Greiçevcit si vdekje të shkaktuar nga një sëmundje e rrezikshme infektive, prandaj edhe kishin bërë trysni mbi mjekun shqiptar, dr. Ali Sokolin, që ta nënshkruante aktanalizën mbështetëse, por dr. Sokoli kishte refuzuar të nënshkruante çfarëdo dokumenti të rremë.

Sidoqoftë, kufomën e Fazliut UDB-ja e kishte mbyllë hermetikisht në arkivol të metaltë, në mënyrë që familja të mos e shihte trupin e gjymtuar prej torturave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat