KMLDNj: Regjistrimi i veturave gratis për qytetarët e veriut, diskriminim në baza etnike

Aktuale

KMLDNj: Regjistrimi i veturave gratis për qytetarët e veriut, diskriminim në baza etnike

Më: 7 nëntor 2023 Në ora: 13:45
Foto ilustrim

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka thënë që po vazhdon diskriminimi i qytetarëve kosovarë në baza etnike duke përmendur ofertën për regjistrim të veturave me targa RKS me lehtësime financiare vetëm për qytetarët e veriut të vendit.

“MPB e Kosovës ditëve të fundit bombardoi qytetarët e vendit me SMS në gjuhën shqipe, serbe dhe angleze me të cilin fton qytetarët që deri me datën 1.12.2023 të regjistrojnë veturat me targat RKS, me lehtësira financiare (gratis) sipas një vendimi të qeverisë. Kjo ofertë gjeneroze, e motivuar politikisht dhe etnikisht thellësisht diskriminuese, e kundërligjshme dhe kundër të drejtave elementare të njeriut vlen vetëm për komunat e veriut, komunat e Asociacionit që kanë refuzuar targat RKS që nga përfundimi i luftës e deri më sot”, ka thënë KMLDNj në një komuniukatë.

“Qytetarët e tjerë të Kosovës detyrohen të regjistrojnë veturat me tarifa financiare në shpërputhje me gjendjen e tyre ekonomike dhe, çdo vonesë penalizohet nga autoritetet përgjegjëse. Në gjerdanin e diskriminimit të qytetarëve të Kosovës, ekskluzivisht sipas parimit politik dhe etnik siç ishte pagesa nga buxheti i shtetit të rrymës, ujit, mbeturinave, tatimit në pronë dhe tatimeve tjera, rrogat për Rojat e Urës dhe strukturat tjera të kundërligjshme, pa e bërë as edhe një ditë të vetme të punës po i shtohet edhe regjistrimi i veturave me targa RKS për kategorinë e qytetarëve jointegrues të veriut të Kosovës të cilët, që nga përfundimi i luftës kanë refuzuar të paguajnë rrymën, ujin, mbeturinat, tatimin madje, jo rrallë duke e kundërshtuar dhunshëm institucionet e shtetit të Kosovës”.

KMLDNj-ja ka thënë që qeveria po diskriminon në baza etnike duke kërkuar nga ata që të reshtin së bëri këtë.

“Pse nuk ndodh e njëjta edhe për qytetarët e tjerë shqiptarë të cilët ende nuk i kanë regjistruar automjetet, nisur nga fakti që ende ka aq shumë automjete të paregjistruara dhe që paraqet pengesë për Kosovën për anëtarësim në kartonin e gjelbër?!Kjo dukuri e shëmtuar dhe diskriminim në baza etnike dhe politike nuk ndodhë në asnjë vend normal të botës dhe është në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut aq më parë që Gjykata Kushtetuese e Kosovës këto veprime diskriminuese i ka shpallur të kundërligjshme si dhe ka urdhëruar, (përmes vendimeve të gjykatave tjera) që të kompensohen qytetarët  e Kosovës të përkatësisë joserbe që janë plaçkitur që nga përfundimi i luftës dhe me ato mjete është paguar rryma për serbët e veriut”.

“KMDLNj –ë thërret qeverinë e Kosovës të ndërpresë me diskriminimin flagrant të të drejtave të njeriut në baza etnike dhe politike që është në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e Kosovës.  KMDLNj –ë thërret qeverinë e Kosovës të fillojë me kompensimin e qytetarëve për dëmet që ua kanë shkaktuar përmes fryrjes së faturave të energjisë elektrike që nga përfundimi i luftës sikur që u bënë thirrje qytetarëve të Kosovës që të drejtat e tyre t’i realizojnë individualisht përmes padive në gjykatat përkatëse duke kërkuar të kompensohen për mjetet e tjetërsuara kundërligjshëm nga qeveritë paraprake dhe kësaj që është në fuqi”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat