Shqyrtimi i Projektbuxhetit në lexim të dytë do të bëhet pas dy javësh në Kuvend

Aktuale

Shqyrtimi i Projektbuxhetit në lexim të dytë do të bëhet pas dy javësh në Kuvend

Më: 1 dhjetor 2023 Në ora: 12:09
Foto ilustrim

Pas dy javësh pritet të mbahet seancë plenare, ku në rend dite do të jetë shqyrtimi i dytë i Projektbuxhetit për vitin 2024. Kështu u tha pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ku partitë opozitare kanë kërkuar rishikimin e Projektbuxhetit. PDK dhe AAK deklaruan se as me planifikimet buxhetore të vitit të ardhshëm nuk plotësojnë kërkesat e sektorit publik dhe privat.

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka kërkuar që të gjitha kërkesat e kësaj partie që tashmë janë amendamente të përfshihen në Projektbuxhetin 2024.

Tahiri: Seancat e radhës do të mbahen pas dy jave

“Seancat e radhës do të mbahen pas dy jave, ku do ta kemi për shqyrtim projektbuxhetin e Kosovës për vitin 2024. Kur jemi te buxheti, pikërisht edhe një herë, si Grup Parlamentar i PDK-së i kërkojmë në këtë rast mazhorancës që të reflektojë karshi kërkesave të Policisë së Republikës së Kosovës, karshi të kërkesave të zjarrfikësve, karshi kërkesave të disa kategorive sociale të cilat janë jashtëzakonisht të rëndësishme, karshi kërkesave të veteranëve që të plotësohen ato dhe të amendamentohet buxheti tash kur janë amendamentet në komision që do të vije në lexim të dytë, të plotësohen këto kërkesa”, deklaroi ai.

Pas mbledhjes së Kryesisë, shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri tha se sot nuk ka pasur kuorum në Kryesi, megjithatë ai njoftoi se u diskutua për mbajtjen e seancave të ardhshme.

Tahiri: Projektbuxheti i miratuar në këto rrethana nuk përkon me kërkesat e sektorit publik e as privat

“U diskutua për mbajtjen e dy seancave, atë të buxhetit me 14, për votimin e buxhetit në lexim të dytë dhe me 15 një raportim të presidentes Osmani. Ajo që unë dua të them si kryetar i Grupit Parlamentar të Aleancës, ndërlidhet me buxhet. Fatkeqësi e madhe është për këtë vend dhe për këtë demokraci parlamentare që amendamentet që janë dorëzuar nga shumica e deputetëve nuk do të trajtohen nga Komisioni për Buxhet, kështu siç duhet dhe nuk do të marrin mbështetjen e kuvendit. Buxheti i miratuar në këto rrethana, buxheti i miratuar kështu siç është nuk përkon me kërkesat as të sektorit publik e as privat”, shtoi ai.

Javë më parë është miratuar në parim Projektbuxheti për vitin 2024, i cili kap vlerën e mbi 3.3 miliardë euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat