NJSI sot në protestë, i bashkohet edhe Sindikata e Policisë së Kosovës

Aktuale

NJSI sot në protestë, i bashkohet edhe Sindikata e Policisë së Kosovës

Më: 9 dhjetor 2023 Në ora: 06:17
NJSI

Sindikata e Policisë së Kosovës ka konfirmuar se do t’i bashkohet protestës së sotme të paralajmëruar nga Njësiti Special Intervenues (NJSI) në orën 12:00 para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.

Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri ka konfirmuar se do të marrin pjesë në protestë së bashku me NJSI-në.

Ai ka thënë se gjatë protestës do të bëhen të ditura edhe kërkesat e tyre.

“Po, do të jemi në protestë, ku do t’i publikojmë edhe kërkesat tona”, ka thënë Zeqiri.

Ndryshe, pjesëtarët e Njësitit Special Intervenues, njësiti më elitar i Policisë së Kosovës, kanë protestuar para ndërtesës së Qeverisë të Kosovës më 1 nëntor, duke kërkuar ndryshim të kategorizimit të vendeve të punës dhe shtesa më të mëdha të rrezikshmërisë.

Një tjetër protestë u paralajmërua për datën 7 nëntor 2023, por policia e pezulloi atë përkohësisht, pasi kryeministri Kurti u premtoi atyre takim zyrtar për t’i diskutuar kërkesat e tyre dhe për të gjetur një zgjidhje.

Përfaqësuesit e NJSI u takuan me Kurtin në mes të nëntorit, por nuk arritën marrëveshje për shkak se kreu i ekzekutivit nuk pranoi të tërhiqet nga pozicioni i tij në raport me kërkesat e tyre.

Sipas propozimit të Qeverisë, shtesat për NJSI-në janë rreth 150 euro, ndërsa në kërkesë policët kanë thënë se ajo duhet të caktohet në vlerë prej 50 për qind të pagës bazë dhe të ketë shtesa për kushte specifike të punës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat