​Sindikata e KEK-ut proteston më 22 dhjetor për ngritjen e pagave

Aktuale

​Sindikata e KEK-ut proteston më 22 dhjetor për ngritjen e pagave

Më: 20 dhjetor 2023 Në ora: 21:40
Ilustrim

Sindikata e KEK-ut ka paralajmëruar mbajtjen e një proteste për datën 22 dhjetor, pas dështimit të marrëveshjes mbi ngritjen e pagave për punëtorët.

Nexhat Llumnica, kryetari i Sindikatës së Re Korporata Energjetike e Kosovës, ka bërë të ditur se sot kanë mbajtur një takim me menaxhmentin e KEK-ut, ku është kërkuar të arrihet marrëveshja për ngritjen e pagave.

“Edhe pas pritjeve dhe përpjekjeve tona intensive për të arritur një marrëveshje lidhur me ngritjen e pagave, me keqardhje duhet të njoftojmë se ende nuk kemi arritur në një konsensus të plotë me menaxhmentin e KEK-ut në këtë çështje. Premtimet dhe dialogu i deritanishëm nuk kanë sjellë një rezultat konkret që plotëson kërkesat tona. Kemi vendosur që protesta jonë e paraparë për datën 7 nëntor, do të zhvillohet më 22 dhjetor 2023 duke filluar nga ora 11:00 para zyrave të KEK-ut. Ky vendim vjen pas vlerësimit të kujdesshëm të zhvillimeve dhe përvojave tona të fundit”, thuhet më tej në komunikatë.

Sindikata e KEK-ut thotë se ngritja e pagave është e domosdoshme për mirëqenien dhe drejtësinë e punëtorëve, dhe paralajmëron hapa të tjerë sindikalë nëse nuk ka përmirësime konkrete në këtë drejtim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat