U ftua nga policia për rastin e 18-vjeçarit, flet imami nga Podujeva

Aktuale

U ftua nga policia për rastin e 18-vjeçarit, flet imami nga Podujeva

Më: 30 janar 2024 Në ora: 20:12
Foto nga takimi

Rasti i rrahjes për vdekje të 18-vjeçarit nga Podujeva Lulzim Fejzullahu ka tronditur opinionin publik.

Pas këtij rasti të rëndë imami i Podujevës pas takimit me axhën e të ndjerit kishte deklaruar se “familja e viktimës i ka dhënë një muaj ditë besë familjes së dorasit”.

E për këtë deklaratë që Jashari e ka cilësuar se ishte një keqkuptim, policia kishte intervistuar atë dhe xhaxhain e viktimës.

Mirëpo hoxhës nga Podujeva duhet se i ka mbetur hatri që u ftua nga Policia si dëshmitarë.

“Nuk pat diçka të jashtëzakonshme në atë sqarim dhe pyetjet ishin të natyrshme. Organet e kanë kryer një obligim ligjor për të sqaruar një çështje. Por realisht unë u befasova pasi nuk jam njeriu i parë që takojë palët për të ulur tensionet apo për të mos lejuar të eskalojë situata edhe më tej”, ka deklaruar Jashari në TV Dukagjini.

“Kërkesa ka qenë nga familjarët dhe ne tradicionalisht kemi vepruar kështu. Shumë komentues që kur kanë pasur probleme familjare më janë drejtuar mua dhe kolegëve për të zgjidhur hallet, sot shajnë e komentojnë në rrjete sociale”.

Ai thotë se në polici ishte në cilësinë e dëshmitarit.

“Mua më ka ftuar familja Kadriu dhe më kanë thënë se çfarë mund të bëjmë. Nuk ka pasur tensione përkundrazi palët kanë thënë se çështja i është lënë Prokurorisë”.

Jashari thotë se ka shumë raste të ndryshme që qytetarët kërkojnë konsultime me të.

“Mos harroni se unë jam hoxhë dhe e kam për obligim t’i përgjigjem dikujt që më pyet në kontekstin islam. Zoti në Kuran e ka përmendur pajtimin mes njerëzve. Dhe është gjë shumë e mirë kjo. Qytetarët llapjan në raste ngatërresash, adresën e parë për këshillime e kanë imamin”, ka deklaruar tutje hoxha nga Podujeva Bekim Jashari.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat