Bislimi i qartë: Vendimi për ndalimin e dinarit hyn në fuqi nesër, jep detaje rreth takimit të djeshëm me Lajçakun

Aktuale

Bislimi i qartë: Vendimi për ndalimin e dinarit hyn në fuqi nesër, jep detaje rreth takimit të djeshëm me Lajçakun

Më: 31 janar 2024 Në ora: 12:27 Përditësuar në ora: 15:45 më 31.01.2024
Besnik Bislimi

Bislimi për takimin me Lajçak: Ka dakordim se është e pakuptimtë që Kosovës i janë vendosur masa ndërsa Serbisë jo

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka njoftuar mbi takimin e tij më emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, e me të cilin ka diskutuar një sërë çështjesh.

Në një konferencë për media, Bislimi thotë se gjatë takimit, tema e parë për të cilën u diskutua ishte domosdoshmëria e formalizmit të marrëveshjes bashkë me aneksin zbatues.

“Ka deklarata nga Serbia që ata zbatojnë çdo marrëveshje të cilën e nënshkruajnë, kjo deklaratë fton për nënshkrim. Me këtë deklaratë Vuçiq thotë se nëse doni që ta zbatoj marrëveshjen bazike më detyroni ta nënshkruaj të njëjtën. Ka letra që Bërnabiq ka dërguar në Parlamentin Evropian ku thekson se nuk e kanë këtë marrëveshje nuk duan që ta zbatojnë…”, tha ai.

Bislimi theksoi se tema e dytë e diskutuar kishte të bënte me domosdoshmërinë e largimit sa më të shpejtë të masave ndëshkuese nga BE-ja.

“Kemi prezantuar argumentet tona pse vendosja e këtyre masave dëmton vendin, pse është e palogjikshme dhe vendos jo balancë edhe në dialog dhe pengon rrugëtimin evropian të Kosovës. Ka dakordim që është e pakuptimtë që Kosovës i janë vendosur masa pse ka dërguar 4 kryetarë në zyret e tyre ndërsa Serbisë nuk i janë vendosur masa edhe pas aktit terrorist në Banjskë”, shtoi ai.

Po ashtu, ai njoftoi se si temë e tretë është diskutuar edhe për problemet ende të pazgjidhura nga udhërrëfyesi i zbatimit të marrëveshjes së energjisë.

“Në fund të muajit janar janë shpërndarë mbi 20 mijë fatura tek konsumatorët e energjisë në veri por ende janë disa çështje që presin për t’u zgjidhur”.

Tema e katërt, thotë ai se ka të bëjë me vendimin e Qeverisë së Kosovës për përforcimin e suficitit të buxhetit të komunave veriore për shlyerjen e borxhit ndaj KOSTT-it.

Ai njoftoi se një diskutim u bë edhe për çështjen e targave, nevojë që në veri të ketë autoshkolla, qendra të kontrollit teknik, konfiskimin e patentë shoferëve të lëshuar nga Serbia, zgjedhjet në veri, problemi për vendimin e Komisionit Evropian për pasaportat serbe në Kosovë e shkeljet që bën MTS-i.

Bislimi: Rregullorja e BQK-së hyn në fuqi nga nesër por me tranzicion të lehtësuar

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka thënë se rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) do të hyjë në fuqi nga dita e nesërme.

Kjo rregullore vendos që vetëm valuta euro të përdoret për pagesa me para të gatshme.

Ai ka thënë se çfarëdo tentative që rregullorja të trajtohet vetëm nga aspekti i ndalimit të ndonjë monedhe të caktuar përbën tendencë të keqpërdorimit të kësaj rregulloreje për motive tjera.

“Rregullorja e BQK-së hyn në fuqi nga dita e nesërme. Implementimi i rregullores nuk nënkupton ndalim të transfere nga Serbia dhe nuk nënkupton dënime eventuale financiare për mbajtjen e valutës se një shteti tjetër. Nuk ka dyshim se qëllimi final i rregullores është edhe mbrojtja e konsumatorit dhe pagesave në Republikën e Kosovës. Synim i rregullores nuk ka qenë dhe as nuk është caktimi i monedhës zyrtare në qarkullim meqë kjo është caktuar shumë më herët, njësoj nuk ka qenë fokus i rregullores ndalimi i qarkullimit të ndonjë monedhe specifike”, ka deklaruar Bislimi.

Sipas Bislimit, qëllimi i rregullores nuk ka qenë ndalimi i ndonje valute tjetër dhe se nuk  ndalon, nuk lejon, e as nuk merret me dinarin serb, pasi sic thotë ai nuk ka qenë i lejuar as më herët.

“Rregullorja as nuk e ndalon e as nuk e lejon, e as nuk merret me dinarin serb, sepse nuk ka qenë i lejuar më herët”, ka vijuar ai.

Bislimi ka thënë tutje se qytetarëve serbë do t’u mundësohet një periudhë tranzitore për tu informuar më mirë rreth ndryshimeve në këtë rregullore duke përsëritur se euroja ka qenë dhe do të jetë valuta e vetme zyrtare dhe se nga nesër nuk do të ketë masa ndëshkuese, por do të ketë investime në informim për qytetarët serbë.

“Asnjë nga kërkesat e palëve të involvuara, edhe miqtë tanë nuk e vë në dyshim ligjshmerinë e rregullores. Nuk e vë në dyshim që BQK është institucion i pavarur. Nuk e kontestojnë që euro ka qenë dhe vazhdon te jetë e vetmja valutë ne qarkullim. E vetmja brengë e partnerëve tanë është që në përshtatje.. të kenë pak me shumë kohe në dispozicion dhe te jenë të informuar mire për ndryshimet ne rregullore”, ka theksuar ai.

Besnik Bislimi thërret konferencë për media

Zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi sot do të dalë në një konferencë për media.

ZKM ka njoftuar se konferenca do të nisë në orën 15:00 dhe do të mbahet në ndërtesën e Qeverisë.

Në njoftim nuk është bërë e ditur arsyeja e konferencës.

“Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, mban konferencë për media.”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat