Epopeja e UÇK-së, qytetarë të shumtë vizitojnë Kompleksin Memorial “Adem Jashari”

Aktuale

Epopeja e UÇK-së, qytetarë të shumtë vizitojnë Kompleksin Memorial “Adem Jashari”

Më: 5 mars 2024 Në ora: 14:10
Foto ilustrim

Kompleksi Memorial “Adem Jashari” është vizituar sot nga qytetarë të shumtë, të qyteteve të ndryshme, për nder të 26 vjetorit të rënies heroike të komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Adem Jashari dhe familjes Jashari. Qytetarët të cilët po nderonin familjen Jashari, shprehen mirënjohje për të rënët dhe sakrificën e tyre për liri.

Qytetari Nazmi Shaljani i cili për çdo 5 mars viziton kompleksin me nipin e tij, theksoi se Jasharët janë arsyeja pse populli shqiptar sot gëzon lirinë që nuk e ka pasur më parë.

Shaljani: E shfrytëzojmë këtë liri që nuk e kemi pasur kurrë

“Çdo vit vij me nip, për sakrificë, të vizitojë Jasharët. Pushka e Adem Jasharit bashkoi forcat shqiptare, i cili ka dhënë sakrificë të madhe për këtë vend. E shfrytëzojmë këtë liri që se kemi pasur kurrë edhe brezi i ri e vazhdon këtë liri”, theksoi ai.

Qytetari tjetër, Murtez Salihu shpreson që ky popull të gëzoj lirinë dhe të këndellet më mirë për të qenë të bashkuar si komb.

Salihu: Lutem që ky popull ta gëzon lirinë

“Unë vij nga diaspora për lavdinë e Prekazit edhe gjithë dëshmorëve të kombit për lirinë e këtij kombi që e gëzojmë. Dy heronjtë e këtij vendi janë Adem Jashari dhe Hashim Thaçi, por për fat të keq dihet ku gjendet ai. Ishalla (lutem) ky popull ta gëzon lirinë dhe të këndellemi sa më mirë, të bashkuar për kombin tonë”, tha Salihu.

Ndërsa, një mik i Hamëz Jasharit dhe Enver Halitit, Halil Koliqi ish-epror i UÇK-së ka kujtuar duke treguar një histori të shkurtër. Ai shprehet i lumtur që ka takuar ata dhe i takon brezit të tyre.

Koliqi: Kam qenë shok i ngushtë me Hamëz Jasharin dhe Enver Halitin

“Kam qenë shok i ngushtë me Hamëz Jasharin dhe Enver Halitin, ishim treshi i parë politko-ushtarak në Prekaz. Ishte kënaqësi që unë i takoj këtij brezi të tyre, që i kam njohur. Në shtëpinë e tij kam qenë më 22 shkurt, 11 ditë pa u vra ata. Janë vra heroikisht duke mbrojtur atdheun e tyre. Me fol për Jasharët, nuk ka mundësi njeriu me pak fjalë, sepse tani ata kanë hyrë në legjendë, nuk mundesh të shpjegosh për pak kohë”, shprehet Koliqi.

Po ashtu, Sheremet Jashari vijon se serbët kanë përdorur të gjitha metodat që Kosova të jetë e tyre, por ishte e kotë sepse sipas tij ka qenë dhe është e shqiptarëve. I pikëlluar shpreson që çizmja e zezë e serbit të mos shkel më tokën shqiptare kurrë.

Jashari: Dashtë Zoti që kurrë çizmja e zezë e serbit mos të shkel tokën shqiptare

“Kjo është një ditë e dhimbshme, por edhe ditë e lirisë. Një familje me 52 anëtarë të vrarë nuk është pak, por nga serbi nuk pritët asgjë e mirë, nuk ka shikuar a është fëmijë apo plak, por ka përdorur të tëra metodat dhe Kosova të mbetet e tyre, por ishte e kotë ajo është e shqiptarëve dhe gjithmonë do të jetë. Unë ndjej dhimbje shumë të madhe, kam tre anëtarë të vrarë por i harroj ata tre kur i kujtojë që 52 janë vra. Dashtë Zoti që kurrë më çizmja e zezë e serbit mos të shkel tokën shqiptare”, tha Jashari.

Ndërsa, qytetari tjetër Bislimi thekson se ka ardhur në Prekaz t’i nderoj familjen Jashari, pasi që sipas tij, Jasharët janë arsyeja që Kosova është në këtë ditë.

Bislimi: Kanë luftuar deri në fishekun e fundit dhe nuk i janë dorëzuar serbit

“Jam ardhur nga Hani i Elezit për të vizituar dëshmorët që kanë luftuar deri në fishekun e fundit dhe nuk i janë dorëzuar serbit. Jemi ardhur me i nderua me shpirt e zemër, ata e sjellën këtë ditë dhe u gëzua kjo rini, por lutem ta gëzojmë lirinë dhe e mbajmë”, thekson ai.

Gjatë ditës, Kompleksin Memorial “Adem Jashari” ka vizituar edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, kryetari i Komunës së Preshevës, Shqipërim Arifi dhe shumë qytetarë të tjerë në vendi dhe rajoni. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat