​Sami Lushtaku dërgohet në zyrat e EULEX-it, flet avokati i tij

Aktuale

​Sami Lushtaku dërgohet në zyrat e EULEX-it, flet avokati i tij

Më: 8 mars 2024 Në ora: 21:55 Përditësuar në ora: 22:43 më 08.03.2024
​Sami Lushtaku

Sami Lushtakut iu konfiskua telefoni, avokati i tij: Nuk e dimë arsyen, ky veprim bie ndesh me ligjin

Sami Lushtaku nuk është intervistuar, por vetëm i është konfiskuar telefoni nga EULEX-i të premten mbrëma.

Kështu ka konfirmuar për media avokati i tij, Artan Qerkini, i cili tha se arsyen nuk e dinë.

“Sami Lushtaku nuk është intervistuar në zyrat e EULEX-it, vetëm i është konfiskuar telefoni. Nuk e dimë pse se nuk na kanë dhënë arsye”, ka thënë Qerkini.

Ndërsa në një deklarim për media para zyrave të EULEX-it, ai ka deklaruar se ky veprim bie ndesh me ligjin.

“Z. Lushtaku nuk e ka statusin e të dyshuarit, prandaj atij i është cenuar privatësia pasi i është marrë telefoni mobil”, ka thënë avokati, duke paralajmëruar ankesë në Dhomat e Specializuara.

Për raportimet për ndalimin e Lushtakut ka reaguar edhe ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës, Faton Klinaku.

“Siç po raportohet në media, Specialja e paska ndaluar në këto orë të vona z. Sami Lushtaku. Përveç spektakleve të vazhdueshme që po bëhen nga kjo pseudogjykatë, të ndalohet njeriu në rrugë pa kurrfarë paralajmërimi, kjo është edhe një poshtërsi e tyre e radhës”, ka shkruar ai në Facebook.

Specialja pati aksion edhe të enjten. Me urdhër të Gjykatës Speciale një ditë më parë u bastis shtëpia e ish-komandantit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Sylejman Selimi.

Artan Qerkini, që është edhe avokat i Selimit, ka konfirmuar se bastisja u krye nën dyshimin se ka prova për pengim të administrimit të drejtësisë, porse klienti i tij nuk është i dyshuar. Ai u ankua për shkelje të të drejtave kushtetuese të Selimit dhe paralajmëroi ankesë për urdhrin e Gjykatës. Qerkini tha se nuk mund të komentojë se a janë gjetur prova, apo është konfiskuar ndonjë dokument nga Prokuroria.

Pas intervistimit në zyrat e EULEX-i, lirohet Sami Lushtaku

Nënkryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, është liruar pas intervistimit në zyrat e EULEX-it të premten mbrëma.

Lajmin për media e ka konfirmuar zëdhënësi i Komunës së Skenderajt, Amir Lushtaku.

“Po, mund të konfirmoj se Sami Lushtaku është liruar. Me aq sa kemi informacion, ndalimi i tij ka të bëjë me telefonin”, ka thënë ai.

Sipas burimeve të mediave, Sami Lushtakut i është konfiskuar telefoni.

​Sami Lushtaku del nga zyrat e EULEX-it, i konfiskohet telefoni

Nënkryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku ka dalë nga zyrat e EULEX-it, ku ishte duke u intervistuar.

Avokati i tij Artan Qerkini bëri me dije se Lushtakut i është konfiskuar telefoni, teksa shtoi se ai nuk është i dyshuar dhe nuk ka pasur urdhërarrest.

Ndërkohë, Lushtaku nuk është deklaruar para mediave se për çfarë arsye është intervistuar. Ai është larguar nga zyrat e EULEX-it në Fushë Kosovë me veturën e tij.

Ndryshe, Specialja dje ka bastisur edhe shtëpinë e ish-komandantit të UÇK-së Sylejman Selimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat