Deklaratat pozitë-opozitë rreth zgjedhjeve të reja/ Deputeti i VV-së: Lojë ping – pongu nga të dyja palët

Aktuale

Deklaratat pozitë-opozitë rreth zgjedhjeve të reja/ Deputeti i VV-së: Lojë ping – pongu nga të dyja palët

Më: 25 mars 2024 Në ora: 17:08
Eman Rrahmani

Opozita kosovare tash e një kohë shprehet e gatshme për zgjedhje dhe kërkon që Qeveria Kurti sa më parë të shkojë ‘’në shtëpi’’.

Ata po konsiderojnë se kjo qeveri është  e dëmshme dhe dështim e dëshpërim për Kosovën.

Javën e kaluar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë dhënë për televizionin publik, deklaroi se do të ishte i gatshëm ta ndihmonte opozitën kosovare dhe se nëse nuk i ka numrat për ta çuar Kosovën në zgjedhje të reja, mund t’ia bëjë vetë ai.

“A do të ketë zgjedhje para 4-vjetorit të qeverisjes suaj?”, ishte pyetur Kurti gjatë intervistës.

“Kjo është e vetmja pyetje që ma bëtë sonte për opozitën, ata duhet ta thonë fjalën e tyre unë nuk mund te shkoj në zgjedhje pa opozitën, pra, Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese nga viti 2020 ka treguar që për shpërndarje të Kuvendit duhen 2/3 dhe nuk ka mundësi tjetër që automatikisht të shkohet në zgjedhje. Mund t’i bëjnë bashkë me neve, kjo është ofertë e imja”, u përgjigj Kurti.

“Shkojmë në zgjedhje kur të dëshirojë opozita. Ne i ndihmojmë opozitës nëse dëshirojnë të shkojnë në zgjedhje. Gjithmonë gati për zgjedhje”, tha ai.

Diskutimet për zgjedhje kanë vazhduar tash e katër ditë, ku ka pasur replika të ndryshme ndërmjet deputetëve të pozitës e opozitës.

Deklaratat e pozitës dhe opozitës për zgjedhje të reja, janë lojë ping-pongu dhe të parëndësishme për deputetin e mazhorancës, Eman Rrahmanin.

Ai thotë se janë qytetarët ata të cilët vendosin se kur vendi duhet të shkojë në zgjedhje.

‘’Mendoj se qytetarët vendosin kur me shkuar në zgjedhje, mandati është katër vjeçar përgjegjësia jepet për katër vite. Këto tjerat janë çështje tjera, që nuk më intereson as me i komentu, janë lojë ping-pongu edhe nga opozita edhe nga tjerët. S’më intereson me i komentu këto çështje. Diskutim i parëndësishëm është ky’’, tha deputeti i Vetëvendosjes, Eman Rrahmani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat