Kompania e familjes së Sylejman Selimit shpërblehet edhe me një kontratë nga Ministria e Infrastrukturës

Aktuale

Kompania e familjes së Sylejman Selimit shpërblehet edhe me një kontratë nga Ministria e Infrastrukturës

Më: 1 prill 2024 Në ora: 15:42
Sylejman Selimi

Mirusha Company SH.P.K. është shpërblyer me kontratë 690 mijë euro për punë shtesë në projektin e rrugës Dollc-Gjakovë.

Kompania me seli në Klinë, është pronë e familjarëve të Sylejman Selimit, ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Më saktësisht, tre vëllezërit e tij, Mentor, Fidan dhe Selman Selimi janë pronarë të kompanisë.

Kontrata me të cilën Mirusha Company SH.P.K. është shpërblyer të hënën nga Ministria e Infrastrukturës, ka të bëjë me punime shtesë në projektin e rrugës Dollc-Gjakovë, pesë vjet pas nënshkrimit të kontratës bazë mes një konsorciumi të kryesuar nga kompania e vëllezërve Selimi me Ministrinë e Infrastrukturës për një segment të rrugës.

Tenderi është dhënë me procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë.

Më 3 qershor të vitit 2018, Mirusha Company SH.P.K. ishte përzgjedhur fituese e njërit prej tri lloteve për zgjerimin e rrugës nacionale Dollc-Gjakovë. Kompania, asokohe kishte fituar llotin e dytë në një konsorcium të përbërë nga “Mirusha & Geci & Rahovica” me çmim prej  rreth 6 milionë eurosh.

Bazuar në regjistrin e të dhënave pranë Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës, Mirusha Company figuron në pronësi të tre vëllezërve të Sylejman Selimit. Sylejman Selimi nuk figuron përfaqësues në këtë kompani.

Të gjithë vëllezërit e ish-komandantit të UÇK-së jetojnë ndaras me njëri-tjetrin, ndërsa shtëpinë e përbashkët, bashkë me Sylejman Selimin, e kanë në Açarevë të Klinës. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat