Baton Haxhiu: Veriun e Kosovës duhet ta lëmë të ikë

Aktuale

Baton Haxhiu: Veriun e Kosovës duhet ta lëmë të ikë

Më: 11 gusht 2018 Në ora: 12:04
Baton Haxhiu

Për gazetarin Baton Haxhiu, marrëveshjeve Kosovë-Serbi për shkëmbimin e territoreve është për të ardhmen e Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor.

Në një opinion të tijin, ai jep edhe argumente në mbështetje të kësaj teze:

Ndarjet janë gjithmonë të vështira. Veçanërisht ato territoriale.

Disa janë të thjeshta për t’u kuptuar, si e Kosovës nga Serbia në vitin 1999, por disa tjera janë shumë më komplekse – siç duket se do të jetë marrëveshja finale ndërshtetërore mes dy vendeve, e planifikuar për vitin e ardhshëm.

Kam lexuar shumë shkrime këto ditë. Hiq shkrimin e Blerim Latifit që përfaqësonte idenë e qartë në shkrim, tjerat ishin jashtë kontekstit, dashakeqe dhe jokontribuese me ide të reja. Të përqendruara në fyerje dhe ndëshkime deri në tradhëti. Fjalori i politikës është padyshim i vrazhdë dhe ka filluar një betejë e fortë për të shpallur tradhtarin e së ardhmes. Por ka një lidership në Ballkan që ka hapur idenë për fundin e armiqësisë. Dhe arsyeja pse ka ndodhur ky diskurs publik mund të përfshihet në disa pika.

Kemi harxhuar shumë kohë duke pritur që të tjerët t’i marrin vendimet për ne, nga frika për të vepruar, të paralizuar nga ndjenja se për hir të respektit duhet të presim. Por pritja nuk është më alternativë. Koha ka ardhur dhe kjo gjeneratë e qytetarëve të Kosovës duhet të veprojë për hir të asaj që do të vijë. Për hir të gjeneratave të ardhme të shqiptarëve. Për hir të gjeneratave të ardhme të serbëve. Për hir gjeneratave të ardhme të europianëve.
Ne jemi gjenerata e re e Europës dhe pjesë e të ardhmes së saj, ndaj e kemi për detyrë të veprojmë në emër të vlerave të saj. Në emër të paqes, pajtimit dhe të një të ardhmeje të përbashkët.

Prandaj duhet të jemi të vendosur të japim propozime të zbatueshme në praktikë për pajtim me Serbinë dhe ta gjejmë realisht zgjidhjen për paqen e së ardhmes.

Kosova mund të bëhet shtet funksional vetëm nëse zgjidhja kërkohet në ridefinim ose delimitim të kufirit me Serbinë. Sepse, ndryshe, frika kurrë s’do ndalojë së krijuari probleme në këtë tokë.

Pak histori

Tri herë Veriu i Kosovës ka qenë pjesë e tavolinës për këmbim ose ridefinim të kufirit. Në kohën e kësaj përfoljeje tema e ndarjes dhe shkëmbimit ishte tejet e gjallë dhe joshëse. Atëherë Kosova nuk ishte as pjesë e Serbisë, as pjesë e Shqipërisë dhe as pjesë e Europës. Kosova bashkonte epërsinë e popullatës shqiptare dhe epërsinë e fuqisë ushtarake serbe.

Gjatë vitit 1997, ideja e ndarjes kishte fuqinë serbe dhe prekte kufirin diku te Ferizaj. Të gjithë që banonin në Prishtinë duhej të shpërnguleshim dhe të kërkonin një hapësirë për të jetuar në një shtet që s’kishte as emër, as identitet dhe as të ardhme. Ky variant nuk përfshinte marrëveshje, por projektonte fuqinë ushtarake serbe mbi pafuqinë tonë. Kjo tablo kishte vetëm një akter dhe ata që përjetonin ndarjen pa shikuar nga prapa.
Në vitin 2000 ishte një qytet që ruante shkëlqimin e dikurshëm të bashkëjetesës. Ishte një hapësirë e territorit ku shqiptarët e Kosovës, përveç ndonjërit që kishte prapavijë komuniste, nuk kishin shkelur kurrë në atë tokë. Ishte pjesa e Veriu të Kosovës. Për pjesën tjetër të Kosovës, Veriu nuk kishte asgjë të përbashkët me territorin tjetër kosovar. Pikërisht se nuk kishin dukuri të një qytetërimi të përbashkët, ata me zell mbanin veten si pjesë të një qytetërimi tjetër, por kishin edhe një dell provincializmi dhe dell për një identitet jokosovar.

Duke qenë e tillë, kjo pjesë u bë strehë e banorëve të ikur serbë që nga 13 qershori i vitit 1999. Asnjëherë – as para luftës, as pas luftës, as tash – banorët e kësaj pjese nuk kanë qenë pjesë në jetën e qytetërimit të Kosovës.

Duke qenë e tillë dhe duke e parë lehtësinë e ndarjes, Forcat Franceze të KFOR-it projektuan ndarjen fizike, me murin e lartë katër metra, ndarjen fizike të Veriut të Kosovës përreth lumit Ibër.

Ishte një mik francez, së bashku me ekipin e Kadri Veselit, që e pati ndaluar këtë plan duke e konsideruar Veriun e Mitrovicës si pjesë të Kosovës. Muri francez nuk u bë kurrë.

Ngjarjet e vitit 2004 shpërthyen pa fund pezmin e së kaluarës. Ky vit goditi fort idenë multietnike të Kosovës. Oliver Ivanoviq, një politikan pragmatik serb, duke qenë i afërt me trupat ushtarake franceze kishte kuptuar se Veriu i Mitrovicës ishte vështirë i shkëputshëm nga pjesa tjetër e qytetit. Ai kishte propozuar që Veriu i Kosovës ta merrte formën e vitit 1953. Konflikti dhe mosbesimi etnik kishte arritur kulmin. Serbët e Veriut të Kosovës nuk dëshironin ta pranonin shtetin e Kosovës.

Ivanoviq kishte dalë me propozim që tri komunat serbe t’i bashkoheshin Serbisë. Kisha serbe dhe serbët brenda Kosovës kishin arritur që ta ndalin procesin me arsyetimin se për Kosovën duhet blerë kohë derisa fuqitë ndërkombëtare ta humbnin interesimin për Kosovën. Dhe ashtu ndodhi.
Viti 2011 kishte lënë Veriun e Kosovës jashtë interesimit të UNMIK-ut. Atje dominonte gjithçka serbe. Nuk kishte asgjë që përfaqësohej nga shteti i Kosovës. Ishte një diplomat që e ndërpreu rrugën e humbjes së Veriut. Ai quhej Christopher Dell. Shprehja e tij e famshme, “Duhet ta rrotulloni tavolinën në qetësinë e restorantit për ta tërhequr vëmendjen”, ishte mënyra e vetme për ta zgjuar bashkësinë ndërkombëtare, dhe sidomos Amerikën – që në një mënyrë ishin pajtuar se Veriu kishte ikur – për të mos ndodhur shkëputja de facto.

Dërgimi i Njësisë Speciale në Veri ishte figurativisht rrotullimi i tavolinës në qetësinë e restorantit. Të gjithë u befasuan për atë se kush kishte marrë guximin që ta bënte një veprim brutal dhe ta prishte qetësinë e një fakti të kryer.

Kryeministri i atëhershëm, me miratimin e kujdesshëm të Ambasadorit Dell, e rikthyen temën e Veriut në bisedat me Serbinë.

Tjerat pastaj dihen.

Po tash? Shkëmbimi është zgjidhje.

Frika e fantazmave të së shkuarës, e viktimave dhe krimeve, në emër të një mbretërie tokësore për qiellorët. Është e pamundur ta quash “lajm të rremë” po e pagove me çiltërsi. Serbëve të Kosovës do t’iu duhen dhjetëvjeçarë që harresa të shtrihet mbi falje dhe të mund të jetojnë si fqinj të mirë me shqiptarët. Dhe ata s’kanë kohë për një gjë të tillë. Sikurse as shqiptarët nuk kanë kohë të presin që demografia të triumfojë për ta integruar pjesën veriore të tyre.

Duhet ta lëmë të ikë, në shkëmbim të integrimit që mund të arrihet sot. Të integrimit që do të na bënte shtet funksional dhe do të na drejtonte kah bregdeti shqiptar, kah Europa, kah e ardhmja.

Pse tani?

Po jetojmë në një epokë të paprecedent në historinë njerëzore. Nuk ka më Lindje, por Perëndim të Largët. Turqia, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Kina janë po aq prezente në Ballkan sa edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Europian dhe Rusia. Secili me interesat dhe strategjitë e veta. Tani këto strategji mund të ndërthuren duke krijuar autostradë për të ardhmen e Kosovës.
Serbia e Aleksandar Vuçiqit, që ka mbërthyer pushtetin dhe mediat bashkë me ndjenjën populiste tek serbët, paraqet mundësi për arritje të marrëveshjes.

Aleksandar Vuçiq e projekton të ardhmen e tij politike në të qenit një nga liderët më me peshë në rajon dhe Kosova është shtegu që mund ta konfirmojë si të tillë.

Mund të mos pëlqehet e kaluara e tij dhe fuqia e jashtëzakonshme politike aktualisht, por pikërisht këto e bëjnë atë njeriun e duhur për “ta shitur” marrëveshjen në Serbi.

Ai është shtetari që mund të arrijë akord me një tjetër po aq të tillë dhe po aq të gatshëm për akord. Kosova e ka këtë njeri, ndaj ta përdorim për të ardhmen që duam dhe meritojmë.

Çështjet e brendshme e kanë dobësuar Bashkimin Europian, që s’ka fuqi për ndonjë marrëveshje konkrete, aq më pak që atë ta shtyjë në Parlamentin Europian para zgjedhjeve të 2019-ës. Dhe fantazmat e vona të BREX-itit dhe Amerikës së Trump-it janë makthe që u dalin e u teprojnë Bashkimit Europian dhe Britanisë së Madhe.

As Kosova dhe as Serbia nuk kanë kohë për të humbur. Madje nuk kanë nevojë, me liderë që janë gati ta gjejnë dhe shtrojnë rrugën drejt pajtimit. Nëse shqiptarët dhe serbët ia dalin të arrijnë marrëveshje duke lënë prapa mbrapshtitë e së shkuarës, paqja dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor mund të bëhen realitet. Në këtë rrafsh, marrëveshja do të ishte në frymën e asaj të Helsinkit dhe jo në kundërshtim me të. Paqja dhe stabiliteti janë themelet e besimit të Bashkimit Europian se në të ardhmen shqiptarët dhe serbët do të jenë qytetarë të BE-së dhe se ata do të investojnë në këtë të ardhme, për veten dhe për Europën.

Në anën tjetër, me BE-në që rrezikohet nga fryma e ringjalljes së shteteve kombe, shkëmbimi i territoreve mund të jetë i frikshëm.

Por, është shteti funksional dhe jo shteti-komb synim i këtij akordi – që do t’i shmanget një rezultati si ai në Bosnje. Bosnja është përkujtues i dështimit të vendimmarrjes në Bashkimin Europian. I paralizuar nga detyrimi ndaj Marrëveshjes së Dejtonit dhe ndarjes së institucionalizuar etnike, pasojë e të parës. Të bashkuar në dështim, qytetarët e këtij shteti nuk kanë shpresë për një të ardhme më të mirë. Kjo nuk mund të jetë zgjidhje as për kosovarët, as për serbët. Ndaj kjo marrëveshje bëhet për shtet funksional, që mund të sjellë stabilitet dhe paqe në Ballkanin Perëndimor, jo për shtet-komb.

Çfarëdo zgjidhje tjetër, veç shkëmbimit të territoreve, do të jetë e pamundur për t’u realizuar tani, ndërsa në të tillë skenar më së shumti do të përfitonin anarkistët dhe populistët, rrjedhimisht përmes tyre, Rusia dhe Turqia, me planet e tyre të mugëta për rajonin.

Amerika, që ka për president njeriun i cili e vlerëson akordin më shumë se gjithçka tjetër, është e gatshme të pranojë marrëveshje konkrete. Nga akordi ajo e fiton Kosovën shtet të njohur ndërkombëtarisht. E përdora fjalën “fiton”, për shkak të kredos politike, ushtarake dhe morale amerikane të investuar në bërjen e këtij shteti.

Për më tepër, qasja e re e SHBA-së në raport me Europën dhe rendin botëror kërkon partnerë të rinj në rajon, ndaj llogarit në shqiptarët si një të tillë. Sepse partnerët rrisin vlerë, nuk shtojnë probleme. Dhe veçanërisht pasi me këtë marrëveshje Kosova zotohet ta respektojë sovranitetin, të vetin dhe të fqinjëve. Kjo do ta ndihmojë Maqedoninë të lëvizë me shpejtësi drejt integrimit në NATO dhe t’i ftohë elementët e të ekstremit të djathtë shqiptar.
Pas Samitit të Helsinkit dhe ftesës për ta vizituar Washingtonin, arritja e marrëveshjeve me Putinin shihet ndryshe nga Shtëpia e Bardhë.

Po Rusia?

Rusia është e gatshme ta përkrahë një marrëveshje që do t’i ofronte zgjidhje oportuniste të çështjeve territoriale me Ukrainën, Gjeorgjinë dhe Moldavinë. Ndaj do të ishte e gatshme ta pranonte shkëmbimin e territoreve, sepse rasti i Kosovës – që mund të konsiderohet si fitore edhe për diplomacinë amerikane – do të kthehej në precedent në ligjin dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.

Putin, që ka ndikim të madh në shoqërinë serbe përmes Kishës Ortodokse Serbe dhe mashave në politikë dhe në media, nuk do ta mbështesë asnjë marrëveshje nga e cila nuk fiton diçka.

Nëse Rusia e pranon akordin, ai joformalisht do të pranohej edhe nga Kisha, gjë që do t’ia lehtësonte Vuçiqit ta merrte pajtimin edhe të rrymave të fuqishme nacionaliste në Serbi.

Por për të gjitha ato shtete të cilat nuk janë të qeta shkaku i tërësisë territoriale, shkëmbimi i territoreve mes Kosovës dhe Serbisë nuk paraqet brengë shtesë. Do të jetë marrëveshje pajtimi mes dy shteteve dhe jo vendim i njëanshëm. Mund ta ndihmojë Rusinë të arrijë marrëveshje për Krimenë, por vetëm si pajtim, jo si agresion.

Ndaj, tash Kosova duhet të bëjë përpara kah e ardhmja që meriton. Duhet të shtyjë në atë drejtim. Tash është koha. Jo për lojëra politike. Është koha për një marrëveshjeje të nevojës gjeopolitike dhe Kosova duhet të zgjedh nëse do të jetë humbëse apo fituese nga ajo.
Është koha për një marrëveshje për integrim dhe ndërtim shteti. Është koha për një New Deal për Kosovën!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat