​Shpalosen detaje për maratonën “Prishtina 2023"

Atletika

​Shpalosen detaje për maratonën “Prishtina 2023"

Më: 20 shtator 2023 Në ora: 13:39
Federata e Atletikës e Kosovës (FAK)

Federata e Atletikës e Kosovës (FAK) në konferencën për media ka dhënë detaje për maratonën “Prishtina 2023”.

Maratona “Prishtina 2023” do të mbahet më datën 24 të këtij muaji, respektivisht këtë të diel në kryeqytet.

Kryetari i FAK-ut, Halil Sylejmani tha se organizimi i kësaj maratone ka filluar para 22 vitesh dhe nuk është ndalur deri më sot, pasi që e ka bërë punën e vetë, e jo vetëm në Kosovë.

“Ne këtë maratonë e kemi nisur në kushtet e mëhershme që 22 vjet më parë dhe nuk e kemi ndalë organizimin e kësaj gare sepse ka bërë punën e vetë jo vetëm në Kosovë që të sensibilizohen gjegjësisht edhe të vetëdijesohen edhe disa persona të cilët janë të fuqishëm që të marrin pjesë në këtë garë, por edhe nga bota e jashtme, do të thotë këtu do të jetë një garë, bota në miniaturë”, tha Sylejmani.

Ndërkaq, zyrtari për sport në Komunën e Prishtinës, Granit Makolli u shpreh i lumtur që maratona do të organizohet sërish në kryeqytet, ndërsa siguroi FAK-un se do të ketë mbështetjen e plotë nga komuna.

“Është kënaqësi që Maratona 22 do të organizohet përsëri në kryeqytet. Sigurisht që ne si komunë e kemi mbështetur dhe do ta vazhdojmë ta mbështesim çdo herë Federatën e Atletikës në këtë organizim”, tha Makolli.

Për Fitim Arifin, përfaqësuesin e Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), ky edicion i maratonës është shumë i rëndësishëm, pasi që është në kohën e lajmit të organizimit të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030.

“Prej vitit në vit çdo herë maratona ka shku duke u ngrit, duke e rrit nivelin. Kjo maratonë ndoshta është shumë e rëndësishme, ose ky edicion i kësaj maratone është shumë i rëndësishëm për shkak se në këtë kohë është ardhë edhe lajmi i organizimit të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030, besoj që do ta ketë rëndësinë edhe ma të madhe të kësaj maratone”, tha Arifi.

Ndërkaq, zyrtari për informim, njëherësh anëtar i kryesisë së Federatës së Atletikës, Adrijan Mazreku, shpalosi edhe detajet e kësaj maratone.

“Përpos maratonës së plotë në 44 kilometra, kemi edhe gjysmë-maratonën në 21 kilometra, pastaj vrapimin në 10 kilometra dhe pesë kilometra. Gjithashtu është edhe një ecje që e kemi mundësua atyre që kanë dëshirë për rekreacion në distancën pesë kilometra ka edhe ecje normale që mund ta bëjnë edhe të moshuarit apo personat me mjete ndihmëse, me shkop apo me diçka të ngjashme. Pastaj ka edhe një garë për personat me nevoja në zhvillim, me karroca, por gjithashtu është edhe një disiplinë e nxënësve dy kilometra, regjistrim ky që bëhet në ditën e garës”, tha Mazreku.

Nga kjo maratonë do të ketë shpërblime edhe për atletët që zënë tetë vendet e para, ku shpërblimet do të jenë njëjtë sikurse për meshkujt ashtu edhe për femrat.

Shpërblimet për vrapimin Maratonë (42.195 kilometra) te meshkujt dhe femrat: Vendi i parë (1 mijë euro), vendi i dytë (700 euro), vendi i tretë (400 euro), vendi i katërt (200 euro), vendi i pestë (150 euro), vendi i gjashtë (100 euro), vendi i shtatë (70 euro) dhe vendi i tetë (50 euro).

Shpërblimet për vrapimin Gjysmë Maratonë (21.0975 kilometra): Vendi i parë (250 euro), vendi i dytë (200 euro), vendi i tretë (150 euro), vendi i katërt (100 euro) dhe vendi i pestë (50 euro).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat