Gega: Nuk kam ende asnjë përgjigje nga KOKSH-i për fondet

Atletika

Gega: Nuk kam ende asnjë përgjigje nga KOKSH-i për fondet

Më: 27 dhjetor 2016 Në ora: 13:40
Luiza Gega gjatë stërvitjeve

Nënkampionia e Europës, Luiza Gega, nuk e ka ndalur fazën përgatitore në Iten të Kenias, por mbështetja financiare nga autoritetet mbetet një shqetësim për të. Në një prononcim për “Panorama Sport”, Gega shprehet se përtej premtimit nga presidenti i Komitetit Olimpik, Viron Bezhani, se kjo çështje do të zgjidhet, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

 “Për sa i përket stërvitjes çdo gjë po shkon shumë mirë. Me mua është bashkuar së fundmi edhe trajneri, pasi unë erdha 10 ditë para që të ambientohesha me lartësinë. Ndryshe nga viti i kaluar, këtë vit jam fokusuar në 3000 m dhe më së shumti në teknikën e pengesave. Sigurisht që kam ndryshuar stërvitjen si në strukturë dhe në përmbajtje. Shoh që pavarësisht volumeve të larta që po zhvillohen, stërvitja po shkon shumë mirë.

Sa u përket financave, përveç mbështetjes që kam pasur nga Ministria dhe Federata, konfirmoj se KOKSH-i, bashkia dhe klubi deri në këto momente nuk janë përgjigjur për asgjë, pavarësisht projektit që kemi dërguar. Për KOKSH-in në fakt kisha shpresa për një përgjigje pozitive sepse së fundmi u zhvillua edhe mbledhja e Komitetit Ekzekutiv, por në dijeninë time nuk u vendos asgjë.

Them që prisja përgjigje pozitive pasi në takimin që bëra me presidentin e KOKSH-it përpara se të nisesha në Kenia, ku i kërkova mbështetje pasi e kam të pamundur mbulimin e shpenzimeve, m’u tha që ‘do të kesh mbështetjen tonë me patjetër dhe që në momentin që do të mblidhet kryesia, ne do të vendosim’. Por deri tanë asgjë.

Lekët për fat të keq që ka dhënë Ministria dhe Federata janë të pamjaftueshme për mbulimin e fazës. Gjithsesi shpresoj shumë të marr një përgjigje pozitive. Sepse rezultatet e larta, sidomos të sportit që bëj, kërkojnë përkushtim në çdo gjë”, deklaroi Gega.

Sipas kampiones së “Mbretëreshës së Sporteve”, pas ndërprerjes së bursës olimpike, situata është ndërlikuar mjaft për të. “Për momentin kam përfituar vetëm nga fondi i akorduar nga Ministria dhe Federata për periudhën tetor-dhjetor, ku në dorë kam marrë 340.000 lekë. Ndërkohë nuk kam marrë përgjigje as nga Bashkia dhe Komiteti Olimpik.

Uroj për një bashkëpunim edhe të institucioneve të tjera sportive. Deri në shtator e kam pasur të lehtë pasi kam përfituar bursën nga KOKSH. Por pas olimpiadës bursa ndërpritet për dy vite. Dhe tashmë situata më është vështirësuar”, theksoi Gega, e cila i jep fund fazës përgatitore në Kenia më 10 shkurt.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat