Federata Atletike është e qartë dhe e prerë me Rusinë

Atletika

Federata Atletike është e qartë dhe e prerë me Rusinë

Më: 4 janar 2017 Në ora: 11:16
Atletet ruse

Atletët rusë mund të konkurrojnë në vitin 2017 por jo si përfaqësues të vendit të tyre. Federata Ndërkombëtare e Atletikës është e qartë dhe e prerë me Rusinë pas pezullimit të këtij vendi nga çdo aktivitet për shkak të skandalit të dopingut. Këtë vendim, IAAF ia ka bërë me dije federatës ruse, duke theksuar se ky është një kriter i panegociueshëm dhe do të aplikohet vetëm për atletët e paimplikuar në skandal. Në këtë mënyrë, rusët e atletikës do të jenë “neutralë” në çdo aktivitet të 2017-ës.

Një tjetër kusht është edhe se atletët duhet të vërtetojnë me fakte se nuk janë të implikuar në skandal, madje edhe pa vetëdijen e tyre.  Gjithsesi, edhe ky është një vendim që e dëmton shumë sportin rus që gjatë du viteve të fundit po përballet me skandalin më të madh të dopingut që ka njohur ndonjëherë sporti në këtë vend. Gjatë olimpiadës Rio 2016, Rusia mori pjesë e cunguar për shkak të skualifikimit të shumë atletëve, ndërsa aktualisht Federata Ndërkombëtare e Atletikës dhe WADA po hetojnë rreth 200 emra të përfshirë në skandal. Sipas institucioneve ndërkombëtare, të përfshirë janë edhe institucionet shtetërore të Moskës, gjë e cila është mohuar kategorikisht nga përfaqësuesit e sportit rus.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat