Sylejmani: Ekspertët e huaj çuditen se sa keq e kanë bërë shtegun në Mitrovicë

Atletika

Sylejmani: Ekspertët e huaj çuditen se sa keq e kanë bërë shtegun në Mitrovicë

Nga: Kemajl Goca Më: 21 mars 2017 Në ora: 10:53
Halil Sylejmani majtas me zëvendëspresidentin e Federatës Atletike Evropiane, Dobromir Karamarinov

Atletika po kalon periudhën më të vështirë sa i përket infrastrukturës sportive në Republikën e Kosovës. Shtegu me tartan në stadiumin ‘Adem Jashari’ në Mitrovicë, nuk i plotëson as përafërsisht kushtet për zhvillimin e një gare ndërkombëtare, pa dyshim se kjo është shqetësuese. Kryetari i Federatës Atletike të Kosovës, Halil Sylejmani, tha se edhe zëvendëspresidenti i Federatës Atletike Evropiane, Dobromir Karamarinov, ka qenë shumë i zhgënjyer me shtegun që ka parë në Mitrovicë. “Karamarinov ka qenë i kënaqur me mikpritjen që i kemi bërë, por i zhgënjyer me punën në stadiumin në Mitrovicë. Sepse me shtegun që është në Mitrovicë nuk ka gjasa të mbahet asnjë garë e jashtme. E dyta, puna e bërë aty është joprofesionale.

Një ekspertë nga jashtë që e ka parë shtegun, ka thënë: ‘Me pas dashtë me bërë me qëllim nuk kishte mundur me bërë aq keq se çfarë i paskan bërë’. E treta, e kemi marr pëlqimin që të mbahet katërgarëshi mes Kosovës-Shqipërisë, Maqedonisë e Malit të Zi, garë që do të financohej nga Federata Ballkanike e cila do të na ndihmonte në organizim, por shkaku i shtegut kjo nuk mund të zhvillohet!  Po ashtu në janar të vitit të ardhshëm është paraparë të mbahet një lloji Kongresi i Federatës Evropiane në vendin tonë, por edhe kjo mund të mos mbahet shkaku i kësaj që nuk e kemi shtegun.  Dy aktivitete ndërkombëtare të parapara të zhvillohen në Kosovë, për shkak të gjendjes çfarë është infrastruktura, mund të dështojnë, vërtetë është e dhimbshme dhe na shkakton edhe dëme neve si federatë.

Prandaj, sikur këto aktivitete të mbahen në vendin tonë, do të na kishin sjellë të mira, por aktualisht mbetet status quo. Kështu që shumë federata të shteteve të tjera e kanë ëndërr t’i zhvillojnë këto aktivitete, ndërsa ne që na jepet mundësia, shkaku që ballafaqohem me mungesë të infrastrukturës, do t’i bartim pasojat”, thotë Sylejmani për gazetën kombëtare “Bota sot”. “Unë besoj se Ministria e Sportit të Kosovës do të kryej këtë shteg dhe ne do t’i mbajmë garat e cekura më parë, se është shumë domethënëse për Federatën Atletike dhe vet Kosovën”, deklaroi Sylejmani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat