Fillojnë regjistrimet për gjysmë maratonën e vrapimit

Atletika

Fillojnë regjistrimet për gjysmë maratonën e vrapimit

Më: 5 maj 2017 Në ora: 14:24
Konferenca per media

Më 14 maj në Prishtinë do të mbahet gjysmë maratona e vrapimit e cila për herë të parë do të organizohet në kuadër të Federatës Ballkanike të Atletikës.

Federata e Atletikës së Kosovës në bashkëpunim me Ministrinë  për  Kulturë, Rinisë dhe Sport, me Drejtorin për Sport të Komunës së Prishtinës, si dhe partner të tjerë, do të përkujdesen për mbarëvajtjen e kësaj gare e cila organizohet për të 17 herë më radhë.

Kryetari i Federatës së Atletikës, Halil Sylejmani tha se edhe këtë vit do të bëjnë të pamundurën që të tregojnë se në Kosovë bashkërisht mund të bëhen organizime me karakter ndërkombëtar.

Sylejmani : Mund të bëhen organizime me karakter ndërkombëtar

“Për herë të parë jemi anëtarë të Federatës Ballkanike të Atletikës dhe për herë të parë na u ka dhënë e drejta që të organizojmë këtë garë e cila vërtetë edhe përpara, por edhe këtë vit, edhe tutje ne do të bëjmë çmos që kjo garë të jetë njëherit mirënjohje e të gjithë organizatorëve, por edhe vlere e cila do të shihet nga e tërë potenciali botëror do të thotë ku kanë marrë pjesë edhe vitet e tjera, edhe në maratonë në këtë kampionat ballkanik që të tregojmë se në Kosovë ekziston një federatë e cila din dhe mundet bashkërisht të bëjë organizime me karakter ndërkombëtar”, tregoi ai.

Anëtarja e këshillit organizues nga Departamenti i Sportit, Afërdita Fazliu është shprehur shumë e kënaqur që kjo gjysmë maratonë ka marrë karakterin e një maratone dhe se si departamenti i sportit janë munduar që të ta përkrahin Federatën e Atletikës.

Fazlija: Gjysmë maratona po merr fizionomi të maratonës

“Kjo gjysmë-maratonë e ka marrë fizionominë të themi drejtë të një maratone, mirëpo, është ndoshta një prej federatave që fatkeqësisht nuk i ka kushtet për rrethana të caktuara që aktivitetet e kësaj federate t’i kalojnë përmasat, siç është rasti me gjysme maratonën. Ne si ministri, si  departament i sportit, jemi munduar që të jemi përkrah Federatës të Atletikës deri në kohën e pranimit dhe mendoj që pas pranimit i vetmi segment, e vetmja detyrë që duhet ta përmbushim, nëse mundemi në vitet në vazhdim, është që Federate e Atletikës t’i krijojmë kushte sa i përket pjesës së infrastrukturës, në këtë rast që gjysmë maratonën e Prishtinës ta shndërrojmë në maratonë”, deklaroi ajo.

Lidhur me këtë ngjarje shumë të rëndësishme foli edhe drejtori për Kulturë Rini dhe Sport në Komunën e Prishtinës, Besart Vllahinja, i cili tha se ky aktivitet e vendos Prishtinën në qendrën e aktiviteteve jo vetëm garuese por edhe festive.

Ndërkohë që koordinatori i garës, Fatlum Grajcevci tregoi anën teknike të kësaj gare, ku regjistrimet do të fillojnë nga data 6 maj deri më datën 13 maj, duke filluar nga ora 09:00 deri në orën 18:00.

Grajcevci tregoi se këtë vit risi është se koha do të matet në distancë 10 km që në të kaluarën nuk kanë qenë dhe do të lidhen me satelitë rezultatet, në mënyrë që garuesit edhe ata që i përcjellin garuesit, të dinë momentin kur mbërrin në 10 km.

Rezultatet e këtyre garave do të publikohen online.

Regjistrimet do të bëhen edhe Mitrovicë, Pejë, Gjakovë, Prizren, Ferizaj dhe Gjilan.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat