Muqolli: Shpresoj që lojtarët do të kanë ditën e vet kundër Borcit të Banjallukës

Hendboll

Muqolli: Shpresoj që lojtarët do të kanë ditën e vet kundër Borcit të Banjallukës

Nga: Kemajl Goca Më: 10 dhjetor 2020 Në ora: 13:27
Muqolli: Shpresoj që lojtarët do të kanë ditën e vet kundër Borcit të Banjallukës

Kampioni në fuqi, Besa Famgas nga Peja, lideri i Kampionatit të Kosovës, po përgatitet maksimalisht për ndeshjen e madhe të fundjavës, kundër Borcit të Banjallukës, në kuadër të ndeshjes së parë të rrethit të tretë të Kupës së Evropës në hendboll (meshkuj). 

Skuadra nga Republika Srpska që garon në Kampionatin e Bosnjës dhe të Hercegovinës, është emër i njohur për shqiptarët e Kosovës, që nga vitet e 70-ta, kur u takuan në atëkohë me Borcin e Ferizajt dhe me Trepçën nga Mitrovica, pas luftës, në vitin 2006 me Kastriotin e Ferizajt dhe në vitin 2012 me Besën. 

Me 8 shtator të vitit 2012 në kuadër të Kupës së EHF-it, Borci në Banjallukë e mposhti me rezultat 31:22 Besën, ndërsa me 15 shtator fitoi edhe në Pejë me 32:22, duke eliminuar pejanët.

Kryetrajneri i Besës, Javier Cabanas me trajnerin Arben Muqollin, e kanë përgatitur mirë ekipin dhe pretendojnë fitore ndaj skuadrës nga Banjalluka, e cila luhet me 12 dhjetor (në orën 17.00) në palestrën e sportit “Kagaraçi” në Pejë.

“Borci është ekip e mirë, edhe në ish Jugosllavi ka qenë ekip e fortë, edhe në vitin 2012 jemi takuar me ta, por atëkohë ishim pak më të dobët, tash jemi përforcuar shumë dhe jemi më të mirë.

Borci ndoshta ka mbetur në ato nuancat e vitit 2012, kështu që gjasat i shoh 50 me 50”, thotë Muqolli për gazetën kombëtare “Bota sot”.

Skuadra nga Banjalluka nga 11 ndeshje ka 10 fitore, 1 humbje, një ndeshje me pak dhe renditen në vend të dytë me 20 pikë, dy me pak se lideri boshnjak Slloga Duboj.  

“Ndeshjen e parë e kemi në Pejë, ndërsa takimi i dytë luhet në Banjallukë. Borci është në pozitën të lart në Bosnjë, por sa kam informacione e ka portierin e lënduar, që është shtylla e tyre. A do të mbrojë apo jo, mbetet të shihet.

Ne i kemi të gjithë lojtarët, nuk ka lëndime dhe janë të gatshëm për lojë. Duhet të luftojmë për rezultat sa më të mirë në takimin e parë. Gjasat i kemi shumë të mira që të kalojmë tutje, edhe prapë po e them janë 50 me 50”, theksoi ai. 

Ish hendbollisti më i mirë që ka pasur Kosova në 20 vitet e fundit, tha se është fat që ndeshja e kthimit luhet pa shikues edhe në Banjallukë për shkak të pandemisë. 

“Është më mirë për ne pa shikues, dihet se atje terreni është më i nxehtë. Shpresoj që lojtarët do të kanë ditën e vet, të luajnë ndeshje të fortë në mbrojtje dhe sulmin ta konkretizojnë sa më mirë dhe besoj se do të ia dalim. 

Në ligën e Kosovës jemi pa konkurrencë si asnjëherë më parë dhe për këtë arsye sponsori ynë Famgas ka investuar vetëm për ndeshjet ndërkombëtare. Dhash Zoti ta kalojmë edhe këtë pengesë, të kualifikohemi në të tetën e finales së Kupës së Evropës, që do të ishte një panoramë e mirë për hendbollin dhe tërë Kosovën”, përfundon Muqolli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat