Tani e disa ditë kombëtarja e Kosovës U17 në hendboll, në konkurrencën e femrave ka filluar përgatitjet për Kampionatin evropian EURO 2017 në kuadër të divizionit B, që do të mbahet në Shkup nga data 31 korrik deri me 6 gusht 2017.
Kosova gjendet në grupin B të këtij divizioni dhe në grup do te përballet me kombëtaret Islandës, Sllovenisë, Bullgarisë dhe Izraelit, dhe do te jetë kjo sfida e parë e kësaj gjenerate mjaft premtuese, e cila edhe përkundër përpjekjeve nuk do te jetë komplet për shkak se disa lojtare kanë probleme me dokumentacion (Zogaj, Rrahmani, Lekaj) por sidoqoftë kryetrajneri Faruk Shala i ndihmuar nga trajnerja Shqipe Tahiri dhe trajneri i portierëve Nexhdet Dobroshi po punojnë dy herë në ditë ne palestrën ‘Shani Nushi’ në Gjakovë duke u munduar ti përgatisin sa ma mirë për ndeshjet e “evropianit”.
Problemi i vetëm ndoshta për momentin janë disa lëndime te cilat kanë ardhur si pasojë e pauzës së gjatë, por fatmirësisht stafi mjekësor ne krye me Erlinda Hakaj ka bërë të pamundurën dhe shumica e tyre janë rehabilituar. Ushtrimet do te zgjasin deri me datën 29 korrik, kur edhe udhëtohet për në Shkup, dhe deri atëherë kryetrajneri Shala do te përcaktohet për 16-të lojtarët më të përgatitura te cilat do te jenë pjesëmarrëse të EURO 2017.