Debutimi i fuqishëm i Dorentina Osmanit me Kosovën

Hendboll

Debutimi i fuqishëm i Dorentina Osmanit me Kosovën

Më: 1 tetor 2017 Në ora: 13:00
Dorentina Osmani

Vetëm të hënën Dorentina Osmani është pajisur me pasaportë të Kosovës. Vetëm të mërkurën në ora 15:00 ajo fitoi të drejtën të luajë për Kosovën, përkatësisht u regjistrua. Pak orë më vonë, po të mërkurën, debutoi për përfaqësuesen e Kosovës në hendboll.

Për shkak të dokumentacionit kishte fare pak gjasa që Osmani të debutonte për Kosovën në ndeshjen ndaj Hungarisë. Por në fillim të javës u kryen shumë punë dhe ajo ruajti portën e Kosovës në shumicën e kohës në ndeshje me Hungarinë. Ndonëse Kosova pësoi thellë, 37:12, debutimi i Dorentina Osmanit u vlerësua shumë i suksesshëm. Ajo pati pesë pritje në pjesën e parë e po aq edhe në të dytën. Ndali goditje të hungarezeve me përvojë edhe në pozitat një kundër një.

Humbja për Kosovën ishte e pritur. Hungaria është në nivelin më të lartë botëror ndërsa Kosova për herë të parë po garon në fazën kryesore të kualifikimeve për Evropian. Kosova përbëhet nga lojtare shumë të reja, disa prej tyre 16 e 17-vjeçare.

Me Tinën, vajzën e re me prejardhje nga Mitrovica, porta e Kosovës është në duar të sigurta për një kohë të gjatë. Natyrisht, kontribut i madh pritet dhe planifikohet edhe nga portieret tjera të përfaqësueses.

“Një ditë para lojës i jam bashkuar grupit, ende pa qenë e sigurtë nëse mund të luaj për shkak të dokumentacionit, pasaportës. Jam shumë e kënaqur me debutimin, shumë e gëzuar që u rregullua puna e dokumentave dhe që më është mundësuar paraqitja në ndeshje”, ka thënë Dorentina Osmani, që nuk ka numëruar pritjet që i ka bërë ndaj hungarezeve. Ajo vlerëson se përfaqësuesja e Kosovës po rritet nga dita në ditë.

Kosovën të dielen (nesër) nga ora 20:00 e pret ndeshja me nënkampionen e botës, Holandën.

“Shpresoj që edhe kundër Holandës do të kam paraqitje të mirë. Do të mundohem të jap gjithçka prej vetes për të ndihmuar ekipin dhe vendin tim”, ka thënë Osmani.

Tina ka lindur në Norvegji në vitin 1995. Luan në kategorinë e dytë, në skuadrën Follo, së bashku me hendbollisten tjetër të Kosovës, Mirela Gjikokaj. Në moshën 7-vjeçare ka nisur me hendboll. Gjithnjë ka qëndruar në portë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat