KHF Kastrioti apo 7 herë kampioni i pasluftës, në udhëkryq pa semafor!

Hendboll

KHF Kastrioti apo 7 herë kampioni i pasluftës, në udhëkryq pa semafor!

Nga: Kemajl Goca Më: 11 tetor 2017 Në ora: 12:24
Fotot e pasluftës (2002-2003)

Kastrioti i Ferizajt apo shtatë herë kampioni i pasluftës, ka mbetur në udhëkryq pa semafor dhe askush nuk e di se si do ta tejkalojnë këtë gjendje të rëndë pa kryesi! Sa i përket fondit të hendbollisteve është i varfër dhe i papërgatitur, për shkak se kanë nisur shumë me vonesë përgatitjet apo tri-katër ditë para se të nisë edicioni. E para, për shkak të neglizhencës së kryesisë, por më shumë të vetë trajnereve që nuk kanë pasur program.

Kjo fotografi që e paraqesim është pothuajse në vitet 2002-2003, kur Kastrioti ka qenë prej ekipeve më të forta dhe me kushte shumë të mira. Sot është bërë për ta vajtuar i madh dhe i vogël. Në Ferizajt njohësit e kësaj loje thonë se ka pasur gjithmonë hendbolliste të dëshmuara që në vitet e 80-ta, të 90-ta, madje përmendin disa nga lojtaret që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme si lojtare të jashtëzakonshme të pasluftës. Në radhë të parë kujtojnë kur ishte kapitene Safete Rifati, një ish lojtare luftarake dhe “dirigjente e lojës”.

Pastaj si lojtarja më e mirë e pasluftës që ka pasur Kastrioti vlerësohet Bellma Beba nga Gostivari, pas saj edhe Merfide Salihu, një goditëse nga 9-metërshi, Ganimete e Ramize Shabani, Xhevrie Dibra, Valentina Qerimi, këto që punuan shumë në fushë e asistuan që të tjerat të shënojnë. Edhe Mimoza Xhemajli nga Gjilani, edhe pse nuk ka qëndruar shumë, thonë se ka pasur prej lojtareve me teknikë të jashtëzakonshme, së fundi edhe Aida Stagova etj. Këto llogariten si lojtaret më të mira që ka pasur të pasluftës brenda klubit. Por njohësit e këtij sportit, shpresojnë se me pak investime do të rritet niveli dhe klubi mund të marrë veten.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat