Zherka: Prishtina e gatshme për derbi, skuadrën e pret e ardhme e ndritur

Hendboll

Zherka: Prishtina e gatshme për derbi, skuadrën e pret e ardhme e ndritur

Më: 27 tetor 2017 Në ora: 11:27
KH Prishtina

Prishtina është në rrugën e duhur dhe do të mundohet që të nxjerr rezultat pozitiv në derbin me Besa FamGas. Kështu ka thënë trajneri i Prishtniës, Verim Zherka, të enjten mbrëma. Prishtina është riorganizuar fuqishëm gjatë verës dhe ka nisur me shumë sukses edicionin 2017\18 të Superligës së Kosovës në hendboll (meshkujt). Prishtina ndanë vendin e parë në klasifikim me kampionen aktuale, Besën, me nga 12 pikë të mbledhura. Të dy skuadrat i kanë fituar gjashtë ndeshjet e deritashme, ndërsa të dielendo të përballen mes vete në derbin e javës së shtatë dhe të tërë stinorit vjeshtor të kampionatit të Kosovës. Ndeshja do të luhet në palestrën “Karagaçi” në Pejë nga ora 17:00. Besa ka vite që po e dominon hendbollin kosovar, ndërsa Prishtina aktualisht vlerësohet rivalja më e madhe e saj.
“Ndeshja me Besën është derbi i javës. Besa FamGas është një ekip shumë i fortë dhe cilësor, që në rradhët e veta ka lojtarë shumë kualitativë dhe të nivelit të lartë, ndërsa gjatë këtyre viteve të fundit ka pasur një dominim total në ligën tonë. Ne gjatë tërë javës jemi duke u përgatitur maksimalisht që nga kjo ndeshje e vështirë për ne, të nxjerrim rezultat pozitiv”, ka thënë Verim Zherka, një prej figurave më të respektuara të hendbollit.
Ai ka folur edhe për ecurinë pozitive në klubin prishtinas. “Në KH Prishtina gjërat janë duke shkuar me një rrjedhshmëri shumë pozitive dhe gjërat janë duke ardhur në binarë të vet. Kemi riorganizim të kryesisë dhe kryetari i ri, zotëri Edi Kolgeci, që nga dita e parë e marrjes së detyrës është duke u munduar dhe duke u angazhuar maksimalisht për ngritjen e klubit në çdo aspekt, si organizativ ashtu edhe financiarë”, ka shtuar Zherka. Ai është i kënaqur me fondin e lojtarëve që e ka. Ka thënë se ekipi përbëhet nga disa lojtarë reprezentues dhe disa lojtarë të rinjë e perspektivë që kanë kaluar nga ekipi i të rinjëve në ekipin e seniorëve, por të cilët kanë nevojë të kaliten pasi janë pa përvojë në Superligë.
“Por lirisht mund të them që jam tepër i kënaqur me ekipin dhe angazhimin e lojtarëve. Bashkërisht jemi duke punuar që të ngrisim nivelin dhe cilësinë e ekipit”.
Prishtina në javën e parë e mposhti Zhegrën me shifrat 31:23. Më pas rreshtoi fitoret ndaj Vëllaznimit (46:27), Trepçës (30:24), Llapit (47:22), Dritës (35:23) e Vushtrrisë (44:28).
“Me rezultatet jam i kënaqur, pasi kemi fituar të gjitha gjashtë ndeshjet e deritashme dhe kemi pikë të barabarta me Besën. Por të them të drejtën niveli i lojës dhe forma e ekipit që unë e synoj, nuk është arritur ende. Përgatitjet i patëm filluar pak me vonesë dhe nuk kishim kohë të mjaftueshme që të zhvillojmë të gjitha fazat përgatitore para fillimit të kampionatit. Kjo është arsyeja që unë dhe stafi im i trajnerëve ende nuk jemi të kënaqur me gjendjen e deritanishme të ekipit. Kemi nevojë për kohë që të përmirësojmë formën e lojës dhe të ngrisim nivelin, si atë fizik ashtu edhe atë tekniko-taktik”, ka theksuar Verim Zherka. Ai është i vetëdijshëm për anët e forta të pejanëve.
“E përsëris, jemi duke u përgatitur maksimalisht, në çdo aspekt për këtë ndeshje, si në sulm ashtu edhe në mbrojtje. E dimë që Besa do të tentojë që me mbrojtje të fortë dhe pastaj me kundërsulme të shpejta, nëpërmjet lojtarëve të krahut, të na shpartallojë. Kjo do të jetë arma kryesore e saj. Jemi plotësisht të vetëdijshëm për forcën dhe kualitetin e Besës, aty nuk ka asnjë dilemë, por unë jam plotësisht i bindur që lojtarët e mi do të japin angazhim maksimal dhe se me një lojë kolektive dhe posaqërisht me një angazhim maksimal në mbrojtje do të tentojmë të mposhtim kampionen aktuale. Angazhimi në mbrojtje do të jetë arma jonë kryesore në këtë ndeshje”.
Zherka është i vetëdijshëm poashtu që ndeshja e së dieles do të qartësojë shumë gjëra për Prishtinën, do të jetë një pasqyrë për të parë nivelin e Prishtinës si ekip. Ai thotë se në ndeshje të forta mund të vërehet niveli i vërtetë.
“Pastaj do të bëjmë një analizë të gjerë se çka duhet të plotësohet dhe në cilat pozita kemi nevojë të përforcohemi që në fazën pranverore të kampionatit të jemi në garë për të fituar titullin e kampionit. Unë jam plotësisht I bindur që me këtë riorganizim në klub, me këtë kryesi të re dhe me një kryetar si Edi Kolgeci, KH Prishtinën po e pret një e ardhme shumë e mirë dhe e mbarë”, ka thënë Zherka.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat