Kameri: Emocionet kanë qenë shumë të mëdha para ndeshjes në Holandë

Hendboll

Kameri: Emocionet kanë qenë shumë të mëdha para ndeshjes në Holandë

Më: 21 nëntor 2017 Në ora: 15:43
Elma Kameri në aksion

Elma Kameri ishte lojtarja më efikase e Istogut në dy ndeshjet e rrethit të tretë të Challenge Cup. Në fundjavën që shkoi Istogu në Holandë pësoi me rezultat të përgjithshëm 76:34 nga skuadra e madhe Virto/Quintus. Kameri në ndeshjen e parë shënoi katër gola, ndërsa në të dytën plot 11. Reprezentuesja e Kosovës vlerëson se Istogut do t’i shërbejnë shumë ndeshjet evropiane për të ardhmen. Ky ishte debutim për Istogun në skenën evropiane.

“Këto ndeshje do të na shërbejnë shumë që të fitojmë përvojë. Në ndeshjet e rradhës që do t’i zhvillojmë natyrisht që do të jemi një hap para në këtë aspekt. Këto ndeshje jo vetëm që do të na ndihmojnë në përfitimin e përvojës ndërkombëtare, por na shërbejnë edhe në ndeshje të kampionatit të Kosovës, për të arritur objektivat, ngase qëllimi i klubit është që prej stinorit në stinor ekipi të jetë në nivel më të lartë”, ka thënë Kameri për sajtin e Federatës. Ajo është optimiste që Istogu do t’i arrijë synimet që i ka.

Kameri është pjesërisht e kënaqur me paraqitjen e saj personale.  Tregon që në ndeshjen e dytë është ndjerë më mirë dhe ka qenë në element të lojës, duke iu falenderuar edhe bashkëpunimit me bashkëlojtaret.

“Natyrisht besoj që edhe unë e edhe bashkëlojtaret mund të paraqitemi më mirë. Por mos të harrojmë që ishin ndeshjet e para evropiane për ne si ekip. Emocionet kanë qenë shumë të mëdha para dhe gjatë ndeshjes së parë. Deri në minutën e 25-të në ndeshjen e parë kishim paraqitje solide, por mungesa e përvojës bëri që të pësojmë rënie. Bëmë shumë gabime dhe diferenca u rrit. Në ndeshjen e dytë ishim më të përqendruara dhe u paraqitëm më mirë. Por edhe në ndeshjen e dytë kemi bërë gabime, ndërsa në momente edhe fati nuk ishte me ne”, ka theksuar Kameri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat