Më 22 janar takohen Serbia me Francën dhe Suedia me Bjellorusinë

Hendboll

Më 22 janar takohen Serbia me Francën dhe Suedia me Bjellorusinë

Më: 21 janar 2018 Në ora: 12:34
Pamje nga një ndeshje

Franca e Kroacia kanë shënuar fitore të rëndësishme në kuadër të grupit të parë të raundit të dytë të kampionatit evropian të hendbollit që po zhvillohet në Kroaci. Ishin portierët që shkëlqyen te Franca dhe te Kroacia në ndeshjet e së shtunës mbrëma.
Fillimisht Franca fitoi ndaj Suedisë me rezultat 23:17, ndërsa portieri francez Vincent Gerard bëri plot 19 pritje. Në këtë ndeshje u shënuan më së paku gola në “Euro 2018”, ndërsa formë të lartë tregoi edhe portieri suedez. Për Suedinë ishte ndeshja me më së paku gola të shënuar në histori të kampionateve evropiane.
Te Suedia më efikasi ishte Simon Jeppsson me katër gola derisa te Franca më së shumti shënoi Cedric Sorhaindo, gjithsej pesë gola.
Në ndeshjen e dytë të së shtunës, Kroacia e përkrahur fuqishëm nga tribunat fitoi ndaj Norvegjisë, që është nënkampione në fuqi e botës. 32:28 ishte rezultati në fund, ndërsa kroatët ishin në epërsi gjatë tërë ndeshjes. Norvegjezët disa herë u afruan deri në një gol, por pa ia dalur të bëjnë më shumë. Edhe Kroacinë e udhëhoqi portieri. Ishte Ivan Stevanoviq që pati natë të jashtëzakonshme, duke ndalur 14 goditje të norvegjezëve. Manuel Shtrlek ishte më efikasi te Kroacia me gjashtë gola, ndërsa te Norvegjia Sander Sagosen shënoi tetë herë. Kroatët ndeshjen vendimtare për të kaluar në gjysmëfinale e luajnë më 24 janar ndaj Francës.
Kroacia prinë në grupin e parë me gjashtë pikë nga katër ndeshje. Gjashtë pikë i ka edhe Franca nga tri ndeshje. Pasojnë Suedia e Norvegjia me nga katër pikë, ndërsa Serbia e Bjellorusia janë pa pikë. Më 22 janar takohen Serbia me Francën dhe Suedia me Bjellorusinë. Ndërsa më 24 janar luhen tri takimet e fundit: Serbia – Bjellorusia, Suedia – Norvegjia, Kroacia – Franca.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat