A është një pranverë më ndryshe në hendboll?

Hendboll

A është një pranverë më ndryshe në hendboll?

Nga: Kemajl Goca Më: 19 shkurt 2018 Në ora: 16:32
Pamje nga një ndeshje

Debate

Pak ndryshime nga pjesa e vjeshtës në elitën e hendbollit në konkurrencën e meshkujve. I vetmi ndryshim që mund të shihet gjithsesi është klubi i hendbollit Kastrioti nga Ferizaj, që ka kryesi të re dhe është shumë më i organizuar se në vjeshtë dhe që japin shpresa se do ta shtojnë sado kudo edhe rivalitetin në ligë! Besa FamGas mbetet ai ujku i vjetër, i paprekshëm për rivalët tjerë, ndërsa Prishtina nuk do të shoh rival të denjë përveç Besës që është shumë e fortë. Besa FamGas e nisi me fitore të thellë, duke e mposhtur me rezultat 33:16 Llapin. Pejanët u angazhuan aq sa iu deshtë dhe për një fitore të thellë. Në 15 ndeshje po aq fitore dhe 30 pikë të mbledhura, janë treguesi më i mirë se sa e fortë është kjo skuadër krahasuar me tjera. Besa është konkurrenti kryesorë për ta mbrojtur titullin dhe Kupën e Kosovës.

Arben Muqolli, kryetrajner i Besës, beson se do të përmbyll pa humbje e barazim, por me të gjitha fitore edicionin. Prishtina ashtu siç pritej edhe dominoi ndaj skuadrës së Vushtrrisë, duke e mundur me rezultat 42:23. Prishtina kthehet me dy pikë, por kryetrajneri i saj, Verim Zherka, e ka fokusin në sfidat e ardhshme. Synimi i Zherkës është si ta gjejnë formulën e lojës dhe t’i prishë të gjitha matematikat Besës. Prishtina është prej klubeve më të organizuara pas Besës dhe ka shpallur kandidaturën që të luftojë për trofe.  Drita nga Gjilani u befasua nga fqinjët e Zhegrës, duke u mundur me rezultat 26:22. Për Zhegrën është fitore që jep sinjale se mund të konkurrojnë për katër vendet e para, kurse Drita me këtë humbje e fut veten në presion nga Kastrioti i Ferizajt.  Besa kryeson me 30 pikë, e përcjellë nga Prishtina me 28 sosh, pasojnë Drita (20), Kastrioti (17), Zhegra (15), Trepça (13) etj.

Humbja e Trepçës me rezultat 29:22 në Ferizaj nga Kastrioti automatikisht nënkupton se zor se mund ta zënë pozitën e katërt, pasi që kjo epërsi për ferizajasit është e dukshme dhe synojnë që ta ruajnë jo vetëm pozitën e katërt, por të ngjiten në tre vendet e para. Trepça e Taib Kabashit nuk ishte në formën e saj në takim me Kastriotin apo rivali ishte shumë më i përgatitur. Lufta për vend të katërt pa dyshim se do të zhvillohet mes Kastriotit, Zhegrës, Trepçës dhe gjithçka do të mbetet e hapur deri në fund. Ajo që dhemb më së shumti, është cilësia e cila nuk ka rritje, por me shpresë se me kalimin e javëve do të përmirësohet dhe rritet edhe shikueshmëria nëpër palestra, që aktualisht është e mjerueshme dhe për çdo kritikë, për shkak se shikuesi do rivalitet e cilësi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat