Mungon drejtësia për vrasjen në lokalin “Panda” edhe pas 25 vjetësh

Lajme

Mungon drejtësia për vrasjen në lokalin “Panda” edhe pas 25 vjetësh

Më: 14 dhjetor 2023 Në ora: 23:47
Lokali “Panda”

Ora 20:00 e mbrëmjes, 14 dhjetor 1998. Rutinë e përditshme në një kafene të zakonshme të Pejës, zakonisht e frekuentuar nga të rinjtë serbë.

Papritmas hyjnë dy persona të maskuar, dhe nisin të gjuajnë me automatik.

Viktima ishin gjashtë të rinj serbë, Ivan Radeviq, 25 vjeç, Ivan Obradoviq, 14 vjeç, Vukota Gvozdenoviq, 16 vjeç, dhe Dragan Trifoviq, 17 vjeç. Ndërsa në spital vdiqën edhe Svetisllav Ristiq, 18 vjeç, dhe Zoran Stanojeviq, 17 vjeç.

Regjimi serb i hasmuar me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës nisi gjahun për fajtorët për krimin që e organizoi vetë shteti.

Rreth 150 të rinj shqiptarë u arrestuan si të dyshuar.

Ndër ta edhe Agron Kollçaku, atë botë 26-vjeçar.

“Na kanë torturuar, në masa të jashtëzakonisht të vështira. Maltretime të njëpasnjëshme, u dufke me e pranu atë fakt se unë e kam bërë atë vrasje”, tha ai.

Fatin e njëjtë e ndajnë edhe Gazmend Bajrami, Xhevdet Bajrami, Vllaznim Pergjegjaj, Beqir Loxha dhe Behar Bajri.

Në mungesë të provave ata u liruan një vit më vonë.

Për të vërtetën atë kohë kishin tentuar të hulumtojnë aktivistë e organizata të ndryshme, e 25 vjet pas thonë se madje kanë dyshime dhe emra të autorëve që kryen këtë krim.

“Krimin e kanë bërë paramilitarët e Legijas dhe disa të tjerë të cilët pastaj kanë bërë krime edhe në burgun e Dubravës dhe të cilët janë në aktakuzën më të re të Prokurorisë Speciale të Kosovës për krime në Dubravë. Kanë emër dhe mbiemër por nuk po i përmendi ata emra. Pra këta e kanë bërë krimin dhe bashkëpjesëmarrës në krimin kundër 6 fëmijëve serbë kanë qenë edhe manastiri i Deçanit i cili i ka strehuar paramilitarët e Legias”, tha Behxhet Shala nga KMDLNJ

Milorad Ulemek, i njohur ndryshe si Legija, ishte komandant i policisë speciale, i dënuar për vrasjen e kryeministrit Zoran Djindjiq.

Vite më vonë presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka lënë të nënkuptohet që shqiptarët nuk qëndrojnë prapa këtij krimi.

Ndër shqiptarë ka qenë gjithmonë e ditur, por që nga ajo kohë edhe në Serbi janë të bindur se vrasja mund të jetë inskenuar nga autoritetet serbe.

Me rastin thuhet se po merren autoritetet në Serbi, por që nga viti 2016 hetimet nuk kanë sjellë rezultate.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat