Çanta nga misioni i parë në Hënë do të shitet për 4 milionë dollarë

Ndryshe

Çanta nga misioni i parë në Hënë do të shitet për 4 milionë dollarë

Më: 20 maj 2017 Në ora: 17:40
Çanta

Çanta me shenjën “Kthimi i mostrave të Hënës”, të cilën e kishte përdorur astronauti Neil Alden Armstrong, njeriu i parë që shkeli në Hënë, në të cilën kishte bartur gurë dhe pluhur, do të dalë në shitje në ankandin Sotheby's në Nju Jork, në korrik dhe pritet të shitet me çmim deri në katër milionë dollarë.

Në këtë çantë ishin vendosur gurë dhe pluhur nga rajoni i Hënës i njohur si Deti i Qetësisë.

Ankandi është paralajmëruar për datën 20 korrik, në  48-vjetorin e shënimit të lëshimit të Apollo 11 në Hënë.

Njëherësh ky është ankandi i parë legal në të cilin do të shiten artefakte nga misioni i NASA-së.

Raketa me Apollo 11 kishte fluturuar në Hënë më 16 korrik 1969 , ndërsa pjesë e ekuipazhit ishin tre astronautët Neil Alden Armstrong, Edwin "Buzz" Aldrin dhe Michael Collins.

Katër ditë më vonë Armstrong dhe Aldrin lëshuan modulin lunar "Eagle"  në sipërfaqen e Hënës. Në kuadër të misionit, astronautët grumbulluan mostra nga Hëna. Pas pothuajse 22 orëve qëndrimi në Hënë, Armstrong dhe Aldrin u kthyen në modulin lunar, dhe iu bashkëngjitën Collins, për t’u kthyer në Tokë më 24 korrik, ku u pritën si heronj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat