Postriba, e para kryengritje antikomuniste në Europën Lindore

Shkodra

Postriba, e para kryengritje antikomuniste në Europën Lindore

Nga: Beqir SINA Më: 10 shtator 2016 Në ora: 20:14
70 vjetori i kryengritjes antikomuniste të Postribës

Fjala e mbajtur nga  zoti Simon Mirakaj - Kryetari i Shoqatës së ish të Përndjekurve Politikë Antikomunistë  të Shqipërisë, me rastin e 70 vjetorit të kryengritjes së Postribes.

Shkodër: Bashkia Shkodër, shkruan ne faqen e saj të interrnetit se ajo ka organizuar aktivitetin përkujtimor me rastin e 70 - vjetorit të Lëvizjes së Postribës me pjesëmarrjen e kryebashkiakes Ademi, përfaqësuesve të Partive Politike dhe të Ish-Përndjekurve Politik, qytetarë e qytetare. 

Më 9 Shtator 1946 elita e qytetit të Shkodrës, antikomunistët e vërtetë dhe nacionalistët nga nga Shkodra, Postrriba dhe zonat përreth e “parashikuan” fatin e vendit tonë dhe e kuptuan se çfarë të ardhmeje do të kishte Shqipëria nën regjimin e asaj kohe.

Aktiviteti i sotëm ishte një kujtim ndaj atyre që e donim Shqipërinë të lirë, të cilët nuk kursyen as jetën në tentativën për të mposhtur një të keqe të madhe. 

Kjo është një datë e shënuar për historinë e Shqipërisë, ndërsa njohja dhe përkujtimi i saj detyrë për të gjithë ne.
Edhe pse një përvjetor i rëndësishëm, 70 vjetori i kryengritjes antikomuniste të Postribës, tha Televizioni i parë i lirë, i qytetit të Shkodrës, TV1 Chanel, u braktis nga autoritetet e larta shtetërore dhe deputetet e qarkut Shkoder. 

Ceremonia e organizuar me këtë rast në njësinë administrative Postribë, shërbeu të bashkonte vetëm vendorët e djathtë, mes tyre edhe të pakënaqurit. Fillimisht u vendosen kurora me lule pranë memorialit kushtuar kësaj ngjarje.

Më pas në këmbë, pjesmarrësit ju drejtuan shkollës së Postribës, aty ku u mbajt programi artistik dhe fjalimet e rastit. Duke vlerësuar këtë ngjarje dhe aktin heroik të të rënëve, kryebashkiakja Voltana Ademi nuk la pa e lidhur mesazhin e kësaj dite me situatën aktuale që po kalon vendi.
Për drejtuesit demokrat kryengritja e Postribës shërbeu si mundësi për të ftuar ndonëse prej së largu banorët e Dibrës të votojnë kandidatin e djathtë, pasi sipas tyre fitorja do të nisë prej atje.

Fjalime nuk munguan as nga familjarët e të rënëve, por edhe të përndjekurit politik.
Ceremonia e këtij viti më së shumti në fjalime i ngjau tribunave politike ku bëhen thirrje për votime, edhe pse ngjarja nuk ka asnjë lidhje me të tilla mesazhe. 9 shtatori i 1946, shënoi revoltën e parë antikomuniste dhe me përmasat që mori, u cilësua e para e këtij lloji jo vetëm në Shqipëri, por dhe në Europën Lindore.
Njëri prej pjesmarrësve, ish kreu i Institutit të të Përndjekurve Politikë, zoti Simon Mirakaj, ka mbajtur një fjalë rasti ku ai u drejtohet pjesamrrësve në përkujtim të 70 vjetorit të kryengritjes antikomuniste të Postribës, në Qarkun e Shkodrës.

Te nderuar pjesmarres, jemi mbledhur sot në këtë cermoni përkujtimore me rastin e 70 vjetorit të kryengritjes së Postribës e cila na bën te ndihemi krenarë si e para kryengritje anti komuniste në Europën Lindore. Na bën të ndihemi krenarë për përpjekjen e rezistencen heroike te këtyre martirve te lirisë, të cilët e morën pushkën në krahë për një Postibë të lirë e demokratike e jo vetëm për  Postribën por për të gjithë Shqipërinë nga Vermoshi në Konispol. Ata janë e do mbeten madhështorë në kujtesen tonë sepse madhështore ishte dhe kauza e tyre liria, demokracia. Ata janë faqja e ndritëshme e historisë tonë. Të nderuar familjarë të ikonave të lirisë, të nderuar  të pranishëm ata që japin jetën për liri e demokraci nuk vdesin ata i përkasin përjetësisë.

Komunizmi u instalua dhunshëm në Shqipëri me vrasje me gjygj e pa gjygj, me burgosje, internime, por me gjithë ashpërsinë e tij ai ndeshi  në rezistencë heroike në veri të Shqipërisë ku komunizmi nuk i kishte ngulë kthetrat e tij si kryengritja e Kelmëndit me heroin legjendar Preng Calin, kryengritja e Malsisë Madhe me në krye Llesh Marashin deri te kryengritja e Postribës me në krye Jup Kazazin I cili kishte në krahë kreshnikë të tillë si Osman Haxhinë, Idriz Tahiri etj. 

Kjo kryengritje gjeti mbështetje edhe nga qytetaria Shkodrane e cila kishte një vizion perëndimor  e një mentalitet europian. Për Shkodrën thuhet se është djepi  i kulturës po është e vërtetë, për Shkodrën thuhet se është djepi I futbollit po është e vërtetë, e këtyre thënjeve  duhet të ju shtojmë se Shkodra është dhe djepi i lirisë e kjo është më se e vërtetë. Lavdi te përjetëshme martirve të kryengritjes së Postribës.
I  pa harruar kujtimi i martirëve të lirisë.

Kryengritja antikomuniste e Postribës

Komuna e Postribës shtrihet në pjesën verilindore të qytetit të Shkodrës, me qendër te Ura e Mesit, e përbërë nga 12 fshatra. Populli i kësaj zone, historikisht përmendet për trimëri, besë, bujari dhe punëdashës. Ura e Mesit është një monument i gjallë kulture e ndërtuar në kohë të Bushatllive.
 Kalaja e Drishtit është ndërtuar në mesjeten e hershme para sundimit të Venedikut. Rrugë të vjetra të shtruara me kalldrëm e lidhin atë me Shkodrën. Një vend të rëndësishëm zënë banorët e Postribës, në historinë e rrethit të Shkodrës dhe të Shqipërisë. 

Burrat e Postribës morën pjesë në mbrojtjen e Ulqinit, të prirë prej bajraktarit të Boksit, Tahir Bajraktari. Ato luftuan trup me trup, në mbrojtjen e Shkodrës nga malazes 1912-1914, ku u vra Halil Isufi i Drishtit. Më 1920, në luftën e Koplikut, Adem Haxhia i Boksit, u priu 200 luftëtarëve nga Postriba. Në ditët e pushtimit italian 1939, përsëri princi Adem Haxhia me luftëtare postriborë, priti me pushkë në dorë ushtrinë italiane.

 Në luftën kundër pushtuesve nazi-fashistë, postribasit kanë vendin dhe kontributin e tyre për Çlirimin e Shqipërisë, sepse si patriotë, luftëtarë të lirisë ato kërkonin çlirimin e Shqipërisë dhe ndërtimin e një shteti demokratik. 
Por shumë shpejt ashtu si gjithë shqiptarët, por pastriborët më parë se të tjerët e kuptuan mashtrimin e madh komunist, natyrën e tyre antinjerëzore, antidemokratike, antifetare, antiperëndimore dhe iu kundërvunë asaj.

Organizimi i rezistencës antikomuniste
Rrethi i Shkodrës, kampion i demokracisë, të luftës për liri, rreshti i parë në historinë e Shqipërisë kishte filluar organizimin, rezistencën antikomuniste për një kryengritje të madhe popullore. Në malet e veriut, ku komunizmi nuk kishte shkelur akoma, vazhdonte lufta për liri. Në Kelmend vepronin çetat e Prek Calit, me Ded Lulash Smajlin, Nik Mark Ujkën etj. Në Malësi të Madhe vepronin forcat e Llesh Marashit, Lul Grizhës, Pjetër Gjok Bajraktarit, Caf Smajlit etj, në Kastrat forcat e Nik Gjelosh Gjekës. Në malet e Dukagjinit vepronin forcat e Nik Sokolit, Ndue Palit etj, po kështu në Shllak etj. Në Postribë situata ishte në shpërthim. 

Filluan të zhvilloheshin mbledhjet e para, me qëllim pjesëmarrjen sa më të gjërë të fshatrave dhe banorëve të qytetit të Shkodrës. Në korrik, një mbledhje u mbajt në shtëpinë e Cin Serreqit. Në Shegaj të Ibros në Postribë, nën drejtimin e Osman Haxhisë, u mblodhën përfaqësuesit kryesorë të fiseve, edhe nga Hoti i Ri. Në këtë takim merrte pjesë edhe përfaqësuesi i njohur i fisit të kazazëve, Jup Kazazi, i cili kishte një autoritet shumë të madh në Shkodër e fshatrat rreth saj. Forcat nacionaliste të Ndoc Kol Bibës në Iball të Pukës dhe të Mark Gjonmarkaj në Mirditë, u solidarizuan me këtë mbledhje kuvendi nëpërmjet një letre që i dërguan atij. 

Në kuvend u cilësua data e fillimit të kryengritjes, e cila do të kishte karakter të përgjithshëm, që do të fillonte me çlirimin e të burgosurve politik në burgjet e Shkodrës e me gjerë. 
Thirrja e djemve ushtarë, me datë 09. 09.1946, nxiti mbledhjen e datës 07. 09.1946 në shtëpinë e Abdullah Sahitit në fshatin Kullaj, ku u la që të nesërmen, pas dreke të mblidheshin bajraktarët e paria e popullit, rreth 150 vetë në fshatin Kodër Boks në vendin e quajtur Shegat e Ibros. 

Në mbledhje morrën pjesë Osman Haxhia, Abas Sulejmani, Zyber Cafi, Kasem Rragibi, Jenim Zyberi, Selim Raci, Dervish Nuzi, Ismail Duki, Abdullah Sehiti, Jakup Dani, Muho Fetahi, Myrto Dani, Ali Brahimi, Metush Halili, Ram Fazi, Muho Osja, Haxhin e Idriz Tahiri, si dhe 150 kryengritës. Prijesi Osman Haxhia, i bindi pjesëmarrësit që kryengritja të fillojë me 09.09.1946. 

Më datën 07.09. 1946 një autoritet tjetër, qytetar shkodran, organizon mbledhjen në kullën e Man Hotit, për të njoftuar shokët për mbledhjen e Postribës. Në pritje të datës së caktuar, njerëz të sigurimit komunist kishin depërtuar në rradhët e kryengritësve. Me datën 09.091946 filloi kryengritja. Asaj i parapriu aksioni i prerjes së telave të ndërlidhjes Shkodër -Tiranë, nga Hamza Trieshti me shokë. Ishte vendosur që grumbullimi i kryengritësve të bëhet në orën 02 të 9 shtatorit në Stom Golem, ku do të bëhet organizimi dhe përgatitja për fillimin e sulmit, sa po të fillonte të zbardhte drita. 

Kryengritësit synonin që me veprime të shpejta, të kordinuara me forcat e zonave të tjera të Gurit të Zi, të fshatit Oblik, të ndihmuar nga forcat brenda qytetit të krijonin një situatë të pasigurtë për forcat qeveritare. Kryengritës nga Oblika e Anës së Malit dhe Guri i Zi, nuk arritën të kalonin urat. Qyteti nuk ndihmoi kryengritësit, përveç ndonjë përjashtimi, sepse qytetarët nuk arritën të merrnin armët që ishin premtuar deri në orën 24 të natës, mungonte informacioni dhe organizimi. Sulmi u përqëndrua në tre drejtime: kundër gazermave të ushtrisë në Rus, kundër burgjeve politike dhe një pjesë tjetër do të sulmonte degën e punëve të brendshme që të paralizonte veprimet e këtij organi.
Sulmi filloi, sipas dëshmive të Abdullah Sahitit, dënuar me burgim të përjetshëm në orët e para të mëngjesit. Me tri të shtëna pushke, nisi sulmin mbi gazermat e ushtrisë në Rus. Luftimet në këto gazerma u zhvilluan të ashpra deri në ndeshje trup me trup, sepse një pjesë e kryengritësve nuk kishte armë. Luftimet zgjaten rreth një orë e gjysëm. Nëpër lagjet e qytetit, patriotë si Qazim Rroji, u përpoqën të ngrinin popullin në kryengritje, por organizimi jo i mirë bëri që përkrahja e tij të ishte e vakët.
Deri në atë moment ishin vrarë rreth 12 kryengritës dhe plagosur me dhjetra të tjerë, por një pjesë e kryengritësve, kishin arritur të depërtonin deri në lagjen Rus, te Doganët e Reja.

Terrori komunist: 18 burra u pushkatuan pa gjyq, 30 shtëpi të djegura

Forcat qeveritare, duke pasur epërsi numerike dhe armatimi, në mbështetje edhe nga forcat e reja të ardhur nga Tirana, arritën që nga pozicioni mbrojtës të kalojnë në sulm. Udhëheqësit e kryengritjes Osman Haxhia, Idriz Tahiri, Jakub Dani, etj., qenë shëmbuj burrërie. Kryengritësit u detyruan të tërhiqeshin. Tërheqja qe e organizuar dhe e thellë. Gjatë tërheqjes mbeti i vrarë Elez Bazi, Nuz Salja. Osman Hyseni plagoset rëndë, lidhet pas një makine dhe tërhiqet zvarrë deri te Ura e Mesit. 

Në fshatin Krebaj, të bregut të Bunës, bie heroikisht me armë në dorë Rasim Gjyrezi. Filloi terrori i egër komunist. 18 burra u pushkatuan pa gjyq, 30 shtëpi të djegura me çfarë kishin brenda. Në çdo fshat kishte të paktën një të pushkatuar,10 shtëpi të djegura, çdo burrë i aftë për pushkë arrestohej. Me dhjetra qenë të pushkatuarit me gjyq. Çdo ditë para popullit vriteshin e torturoheshin me dhjetra kryengritës. Repartet ndëshkimore komuniste, kalonin nga fshati në fshat dhe pushkatimet, burgosjet, internimet, djegiet, plaçkitjet, torturat s'kishin të mbaruar. 

Nga viti në vit, për të thyer rezistencën, shpirtin antikomunist e demokrat të postribasve organizoheshin përsione të vazhdueshme. Por asgjë nuk i mposhte postriborët. Ato qëndruan si gjithmonë krenar e të pamposhtur. Nga viti në vit burgoseshin e internoheshin me dhjetra postriborë. Uria dhe varfëria bënin kurdinë. Por sa mposhtej mali, apo përkulej, aq mposhtej dhe përkulej postribori. Ai priste një ditë që të shpërthente përsëri, më fuqishëm se kurrë shpirti liridashës, demokrat, antikomunist i postriborëve. 
Në lëvizjet e para demokratike të vitit 1990-1991, ato janë në rreshtat e para të protestuesve. Me qindra e qindra bëhen anëtarë të PD, marrin pjesë në epopenë e 2 Prillit 1991, me qindra e mijëra i japin votën PD, dhe fitorja erdhi në 1992. Ato punojnë për një Shqipëri të lirë e demokratike, dhe në krye të këtyre proceseve janë bijtë, nipat, bashkëfshatarët e atyre që u ndeshën me komunizmin 60 vjet më parë, por sot me fitore. Kryengritja komuniste e 1997, nuk i mposhti ato. Me votë dhe me armë në dorë mbrojten demokracinë dhe votat për PD vazhdojnë të rrjedhin lumë, sepse askush nuk mund të lëkundë besimin e tyre ndaj PD-së. 

Sot, Komuna e Postribës është në komunat më të përparuara të Qarkut të Shkodrës, që drejtohet me aftësi, profesionalizëm, ndershmëri, ideale të larta demokratike nga bijtë dhe bijat, nipërit, figurat më të nderuara të atyre që shkruan faqe lavdie 60 vjet më parë. 

Dje, më datën 09.09 2016 në qëndër të Komunës së Postribës, në kujtim të 70-vjetorit të kryengritjes antikomuniste të Postribës, Komuna e Postribës, në bashkëpunim me Qarkun e Shkodrës, organizuan aktivitet të gjërë përkujtimor, artistik, në të cilin morën pjesë qindra e mijëra postriborë, nga fshatrat përreth, qytetarë, drejtues të PD-së, pushtetit qendror dhe lokal.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat