Profesori i Universitetit të famshëm gjerman të arkitekturës ligjëron të Premten në Shkodër

Shkodra

Profesori i Universitetit të famshëm gjerman të arkitekturës ligjëron të Premten në Shkodër

Më: 25 prill 2017 Në ora: 16:13
Prof. Ivan Kucina

Prof. Ivan Kucina, njëri nga emrat e shquar të arkitekturës bashkëkohore, profesor në Dessau International School of Architecture, Anhalt University të Gjermanisë, do të ligjërojë të Premten, më 28 Prill 2017 në Shkodër.

I ftuar nga organizata GO2 në kuadër të forumeve "E drejta mbi qytetin" (Right to the City), Prof. Kucina do të trajtojë temën "Kthimi i jopublikes në publike - Drejt Zhvillimit të të Mirave Urbane në Qytetin Pas-Socialist".

Ligjërata e tij, e katërta me radhë në kuadër të këtij forumi që po mbahet për herë të parë në Shkodër, do të nisë në orën 17:00 të ditës së Premte, në sallën A3 të Universitetit "Luigj Gurakuqi" të qytetit verior.

Në këtë ligjëratë, prof. Kucina do të prezantojë qytetin e Beogradin, në ciklin e forumeve të hapura ndërkombëtare me temë "E drejta mbi qytetin", ku janë përfshirë disa prej qyteteve më të mëdha ballkanike, si: Kotori, Tirana, Mitrovica, Beogradi, Prizreni, Shkodra, Prishtina, Shkupi dhe Mostari.

Prof. Ivan Kucina (lindur më 1961) është profesor në Dessau International School of Architecture, Anhalt University të Gjermanisë, ndërsa më herët ka qenë profesor në Fakultetin e Arkitekturës së Universitetit të Beogradit. Po ashtu, ai ka mbajtur ligjërata si profesor i ftuar në Parsons The New School for Design, New York, KTH Stockholm, Faculty of Architecture University of Podgorica, GUTech, Muscat, Oman etj, por edhe në Shqipëri në Universitetin Polis të Tiranës.

Kërkimet e tij akademike janë fokusuar në arkitekturën e qëndrueshme dhe në zhvillimin urban me konceptet e bazuara në strategjinë e ndërtesave informale dhe të planifikimit me pjesëmarrje.

Prof. Kucina është një arkitekt që operon në arkitekturën ndërdisiplinare dhe atë të dizajnit që përfshin projekte që nga dizajni urban dhe ai i ndërtesave deri te ekspozitat e dizajnit dhe të mobilimit.

Në 2006, Kucina bashkëthemeloi Javën Ndërkombëtare të Arkitekturës në Beograd, ndërsa që nga vitit 2012 është drejtor i programit të Transformimeve Urbane në Mikser Festival të Beogradit. Po ashtu, në vitin 2012, ai themeloi Shkollën e Praktikës Urbane.

Prof. Kucina i bashkëngjitet kështu një liste të emrave të shquar të arkitekturës, publicistikës, filozofisë, sociologjisë dhe planifikimit urban, si: z. Fatos Lubonja, z. Nexhmedin Spahiu, znj. Aleksandra Kapetanovic, znj. Eliza Hoxha, z. Zef Çuni, z. Hajrullah Çeku, z. Artan Sadiku dhe znj. Maja Popovac, të cilët iu përgjigjën ftesës së GO2 për mbajtjen në Shkodër të të parit forum urban ndërkombëtar me temë "E Drejta mbi Qytetin".

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat