PD mbyll fushatën në Dibër, Basha: Rama bllokoi projektin e Rrugës së Arbrit

Shqipëria

PD mbyll fushatën në Dibër, Basha: Rama bllokoi projektin e Rrugës së Arbrit

Më: 9 shtator 2016 Në ora: 17:14
Lulzim Basha

Partia Demokratike ka përmbyllur fushatën e zgjedhjeve të pjesshme në Dibër, ku kandidat është ish-deputeti Sherefedin Shehu. Koalicioni i djathtë, i mbështetur nga partitë opozitare, u bëri thirrje të panishmëve që të votojnë Shehun për t’i kthyer Dibrës dinjitetin, punësimin dhe një pespektivë më të mirë në të ardhmen.

Në fjalën e tij, kreu i opozitës Lulzim Basha ka thënë se Partia Demokratike do të bëjë gjithçka për ta kthyer pushtetin tek qytetarët për dinjitetin që meritojnë.

“Optimizmin e fitores e shoh në sytë tuaj. Kam qenë në çdo qytet dhe kam parë që varfëria mbizotëron kudo. Kam parë një papunësi të skajshme për shkak të braktisjes. Ditët e fundit këtu ka pasur banditë dhe horra, por ata nuk përfaqësojnë socialistët e ndershëm. Ata e duan bashkinë e Dibrës si plaçkë që ta copëtojnë, ta mbjellin me drogë dhe të korrin fitime për vete dhe për bandat. Me drogë dhe banditë përfaqësohet gara sot në Dibër”, – u shpreh Basha.

Kreu i PD-së përsëriti edhe një herë se Rrugën e Arbrit do ta përfundojnë ata që e nisën. “Sot Rama erdhi me një fjalim ordiner dhe me gënjeshtra ordinere. Rama bllokoi projektin e Rrugës së Arbrit, duke prishur kontratën me kompaninë kineze, duke thënë se nuk ka lekë për Dibrën, sepse lekët bëhet rrush e kumbulla me tenderë dhe koncesione”.

Basha më pas nxori në pah vlerat e kandidatit demokrat për Bashkinë e Dibrës: “Problemet e Dibrës duan njerëz që i dinë duan t’i zgjidhin dhe i tillë është Sherefedin Shehu, biri juaj. Dibrani shembullor që ka tre veçori: mençurinë, punën, e ndershmërinë, si prind, si ekonomist, familjar dhe menaxher dhe nesër si kryetar i ardhshëm i Bashkisë së Dibrës”.

Në fund, Basha u bëri thirrje dibranbëve që me votën e tyre në favor të kandidatit demokrat, të largojnë një herë e mirë falangat e krimit nga qyteti siç i cilësoi ai. “Ne nuk do të lejojmë që në pushtet të vijnë përfaqësues të krimit. Mos e lejoni qytetin tuaj të bëhet pre e krimit, mos lejoni që në tokat tuaja të mbillet drogë. Ju premtoj një kryebashkiak të ndershëm, që nuk do jetë peng i grupeve kriminale. Bashkë me ju do të fitojmë zgjedhjet e vitit që vjen dhe të zgjidhim problemet e vendit”, – deklaroi ai mes të tjerash.

Ndërsa kandidati Sherefedin Sheu, tha: “Do t’i kthejmë Dibrës punën dhe dinjitetin, së bashku do ta ndryshojmë këtë qytet, – u shpreh në fjalimin e tij Sherefedin Shehu. – Asnjë familje në qytetin e Dibrës nuk do të kërcënohet për bukën e gojës dhe propozimi im i parë në këshillin bashkiak do të jetë ulja e tarifës së ujit dhe krijimi i një fondi të posaçëm për të ndihmuar familjet në nevojë. Unë do të ndihmoj fermerët për të shitur prodhimet e tyre bujqësore”, – shtoi ai mes të tjerash.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat