Van Basten: Milani rrezikoi me zgjedhjen e Seedorfit

Sporti

Van Basten: Milani rrezikoi me zgjedhjen e Seedorfit

Më: 15 janar 2014 Në ora: 11:20

Legjenda e Milanit, Marco van Basten, i cili aktualisht drejton Heerenveenin, mendon se vendimi i klubit kuqezi për t’ia besuar skuadrën Clarence Seedorfit paraqet një rrezik të madh.

Në fakt, Van Basten nuk është aq i bindur se bashkëkombësi i tij është njeriu i duhur për ta drejtuar Milanin në këtë fazë të karrierës. “Ata e kanë zgjedhur Seedorfin, që në një farë mënyrë është një zgjedhje e kuptueshme, por njëherësh është edhe një rrezik shumë i madh”, ka theksuar ish-sulmuesi i Milanit.

“Kurrë nuk dihet se si do të përballet me situatën dhe si do t’i zgjidhë gjërat. Ky nuk ishte një vendim i zgjuar për mendimin tim, por nuk jam unë ai që merr vendime. Sidoqoftë, ai e flet rrjedhshëm gjuhen italiane dhe ka pasur një karrierë shumë të suksesshme. Këto janë po ashtu gjëra shumë të rëndësishme. Dallimi me situatën time kur e mora drejtimin e Holandës në vitin 2004 qëndron tek fakti se ai do ta nisë menjëherë ta drejtojë skuadrën posa ia dha lamtumirën futbollit të luajtur. Unë e kisha lënë shumë herët futbollin e luajtur dhe më pastaj u riktheva si trajner”, ka shtuar Van Basten, i cili e barti fanellën e Milanit nga viti 1987 deri në vitin 1995, kur u pensionua para kohe për shkak të problemeve me lëndime.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat