S’ka kushte për FIFA-n

Sporti

S’ka kushte për FIFA-n

Më: 17 janar 2014 Në ora: 17:24

Zyrtarët e Federatës së Futbollit të Kosovës, por edhe të institucioneve vendore, duket se tash e kanë kuptuar se futbolli ndërkombëtar nuk luhet nëpër ara, por nëpër stadiume, dhe ato të ndërtuara bukur mirë. Përfaqësuesja e Kosovës, që tashmë ka marrë dritën jeshile nga FIFA për t’i zhvilluar ndeshjet miqësore ndërkombëtare, parashikon që më 5 mars ta luajë ndeshjen e parë zyrtare, madje siç flitet me një kundërshtar bukur atraktiv, duke përmendur SHBA, Holandën ose Turqinë.
Dhe kur deri te ajo ndeshje ka mbetur më pak se 2 muaj, FFK-ja dhe institucionet e kanë të qartë se nuk kanë stadium për t’u zhvilluar ndeshja, dhe me të drejtë ka lindur pyetja se ku do të luajë ajo, dhe se çfarë imazhi do t’i japim vendit pas ndeshjes së parë zyrtare ndërkombëtare.

Federata e Futbollit e Kosovës e ka parasysh këtë fakt, por që thonë, qysh tash duhet të mobilizohen të gjithë dhe të krijojnë kushte për t’u zhvilluar ndeshja siç është më së miri. “E dimë punën e stadiumeve, por qysh tash duhet të nisim punën për të krijuar një të tillë për t’u zhvilluar ndeshja e parë”, ka thënë sekretari i përgjithshëm i FFK-së Eroll Salihu.

Presidenti i klubit të Prishtinës, Remzi Ejupi, ka kohë që ka bërë thirrje për t’u investuar në infrastrukturë. Ai ishte në gjendje të sjellë edhe klube të njohura për të zhvilluar ndeshje miqësore në Kosovë, por pikërisht për shkak të kësaj infrastrukture një gjë e tillë ishte e pamundur të realizohet deri tash.

Sipas Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, deri më tash ajo ka investuar miliona euro nëpër stadiume, dhe që prapë është e gatshme të investojë, por këtë herë është FFK-ja ajo që përcakton se në cilin stadium mund të luhet ndeshja e parë, që pastaj kjo të investojë për të krijuar kushte të mira për atë ndeshje.

“Ne nuk mund të përcaktojmë se cili stadium i plotëson kriteret, pasi nuk jemi të thirrur për këtë. Kjo është përgjegjësi e Federatës së Futbollit të Kosovës dhe bazuar në kërkesat të bazuara në analiza të mirëfillta, ne do të japim mbështetjen që kushtet të plotësohen”, tha zëdhënësi i kësaj ministrie Shkëlzen Dragaj. Dy stadiumet e vetme që përmenden se mund të luhen ndeshjet janë stadiumi i Prishtinës dhe ai i Mitrovicës, por që asnjëri nuk i plotëson kriteret për ndeshje ndërkombëtare.

“Një komision i Ministrisë ka inspektuar punimet në stadiumin në Mitrovicë dhe aty janë në përfundim e sipër punimet në investimet që ka bërë MKRS. Inspektime do të ketë edhe javën e ardhshme dhe ne kemi kërkuar që puna të intensifikohet. Në ditët në vijim ne do të takohemi me drejtuesit e lartë të FFK-së për të parë kërkesat e tyre për infrastrukturë dhe ne do të bëjmë çmos që t’i realizojmë ato në mënyrë që të plotësohen kriteret për t’u luajtur ndeshje ndërkombëtare, në cilindo stadium, varësisht se ku Federata konsideron se është më mirë”, tha Dragaj.

Sido që të jetë, njohësit e futbollit janë skeptikë se do të arrijmë të krijojmë për një kohë të shkurtër një stadium të mirë, por sipas tyre nëse dëshirojmë t’i japim imazh të mirë vendit para botës, atëherë duhet urgjentisht të investohet në infrastruktura, pasi kjo e tanishmja as minimalisht nuk i plotëson kriteret që kërkon UEFA e FIFA.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat