Kosova do të defilojë përkrahë 49 shteteve tjera të Evropës

Sporti

Kosova do të defilojë përkrahë 49 shteteve tjera të Evropës

Më: 23 korrik 2017 Në ora: 13:14
Blearta Ukëhaxhaj

Ceremonia solemne e hapjes së Festivalit Olimpik Evropian për të rinj (EYOF), “Gyor 2017”, do të bëhet sonte në stadiumin “Eto Park” të Gyorit, duke filluar prej orës 20:30.

Kosova do të defilojë përkrahë 49 shteteve tjera të Evropës. Bartëse e flamurit tonë do të jetë tenistja, Blearta Ukëhaxhaj, e përzgjedhur ditë më parë nga Bordi Ekzekutiv i Komitetit Olimpik të Kosovës. Ajo do t’i prijë ekspeditës 20 anëtarëshe të ekipit olimpik të Kosovës.
15-vjeçarja, Ukëhaxhaj, është tenistja më e mirë në Kosovë në dy vitet e fundit për grupmoshën e saj, derisa vitin e kaluar arriti të renditet e 288-ta në renditjen botërore, arritja më e madhe për një teniste shqiptare.
“Është ndjenjë shumë e veçantë dhe gëzohem që ma kanë besuar këtë mundësi. Besoj se nuk do t’i zhgënjej as në gara”, u shpreh tenistja nga Deçani për faqen zyrtare të KOK-ut, "noc-kosovo.org".
Në ceremoninë mbyllëse që mbahet më 29 korrik, bartës i flamurit do të jetë njëri nga dy xhudistët, Laura Fazliu ose Shpat Zekaj. Të dy i bashkohen ekipit olimpik pas disa ditësh, pasi ndodhen në përgatitje shtesë me trajnerin e njohur, Driton Kuka.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat