Alpinistë nga Kosova ‘pushtojnë’ Kilimanxharon për nder të 17 shkurtit

Sporti

Alpinistë nga Kosova ‘pushtojnë’ Kilimanxharon për nder të 17 shkurtit

Më: 12 shkurt 2018 Në ora: 17:34
Alpinistët

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka pritur drejtuesit e Shoqatës Bjeshkatare-Alpiniste “Shkëmbi” të udhëhequr nga kryetari Mensur Gashi, njofton kumtesa ministrore.

Pesë anëtarë të kësaj shoqate, për nder të jubileut të 10-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, më 17 shkurt 2018, synojnë të pushtojnë Majën e Kilimanxharos, në Tanzani të Afrikës, konkretisht “Uhuru Peak” (Majën e Lirisë), në një lartësi mbidetare prej 5895 metra.

Ky aktivitet i natyrës sportive e promovuese mbështetet nga MKRS-ja dhe realizohet në kuadër të agjendës për shënimin e 10-vjetorit.

Gashi me këtë rast u informua për planet dhe detajet e kësaj ekspedite si dhe për aktivitetet tjera që realizon shoqata “Shkëmbi”.

“Ekspedita e alpinistëve tonë për ‘pushtimin’ e Kilimanxharos është një aktivitet i rëndësishëm në kuadër të agjendës së ngjeshur që ka përgatitur shteti ynë për shënimin e 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Është një nder që shteti ynë të promovohet në Afrikë në këtë datë të shënuar”, u shpreh ministri.

 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat