Hoda: Pretendojmë rikthimin në elitë

Volejboll

Hoda: Pretendojmë rikthimin në elitë

Nga: Kemajl Goca Më: 11 shtator 2017 Në ora: 10:54
KV Prishtina F.

Volejbollistet e Prishtinës F. përgatiten me përkushtim të shtuar për edicionin e ri në Ligën e Parë të Kosovës. Kryetrajnerja Ganimete Gërbovci është optimiste se do të ndërtojë një lojë sa më të përsosur dhe të arrijnë qëllimet që kanë para vetes. Vashat prishtinase përgatiten në sallën e shkollës “Faik Konica”, ku kushte janë mjaft të mira. Ambiciet e kësaj ekipe janë rikthimi në elitë, të cilën e thekson edhe Vjosana Hoda, kapitene. Vjosana mendon se kanë ekip të mirë dhe do të jenë arrë e fortë për të gjitha. Qëllimi i saj është që të jenë të përgatitura në çdo aspekt, të jenë rivale të forta për të gjitha dhe sipas saj, e meritojnë elitën.

“Jemi në Ligën e Parë, në fakt ushtrojmë me intensitet të shtuar. Kemi vajza te reja e të talentuar, ndërsa synimet tona janë me arritur në Superligë, pastaj në Superligë shohim se qysh shkojnë gjërat”, tha Vjosana për gazetën kombëtare “Bota sot”.  Një periudhë janë përgatitur edhe në Shqipëri, ku kanë arritur ta realizojnë plan-programin. Përgatitjet në shtetin Shqiptar, pa dyshim se ishin të mirëseardhura për këtë ekip, e cila ka një gjeneratë premtuese.  Duke iu falënderuar “M- Technologie”, në krye me Rrustem Pacollin, ka ndihmuar klubin që t’i zhvilloi përgatitjet në Shqipëri dhe të cilit i janë shumë mirënjohës drejtuesit e këtij kolektivit.  

“Jemi përgatitur mirë edhe jashtë vendit gjatë javës së kaluar. Përgatitjet kanë shkuar mirë, kemi punuar me intensitet për të rritur formën”, tha Vjosana. Volejbollistja ka deklaruar se me kushte është shumë e kënaqur që ka në klub dhe sipas saj, i mbetet që të tregojnë edhe lojëra të pëlqyeshme dhe të korrin suksese.

“Me kushtet jam e kënaqur, është gjithçka mirë. Kushtet e mira normal se janë edhe një motiv shtesë për ne”, theksoi ajo. Cilat skuadra i llogaritë si favoritë për kreun e tabelës? “Një herë nuk mundem me thënë asgjë, sepse ende është herë të mendojnë apo të parashikojmë në këtë drejtim. Por mbetet të shikojmë kur fillon kampionati dhe të shohim se kush është më i miri. Ne pretendojmë me kanë më të mirat, por prapëseprapë të shohim. E shoh se kemi ekipin më të mirë, me të organizuar dhe besoj e shpresoj se do t’i realizojmë synimet”, tha  Vjosana. Duhet shtuar se Prishtina F. u largua nga liga në edicionin e kaluar dhe sipas kryesisë së këtij ekipit, e tëra ndodhi pasi që ka pasur disa padrejtësi, ku pësoi Prishtina F. Gërbovci tha se atmosfera e mirë, disiplina, puna dhe angazhimi, si dhe cilësia do të jenë arma kryesore që do të realizojnë synimet që kanë para vetes.

Lista e volejbollisteve:

Vjosana Hoda, Nita Bekteshi, Donika Xhemajli, Linda Selmani, Leonora Rama, Vlera Hajrizi, Lyra Pireva, Rahime Maliqaj, Diana Babatinca, Eglantina Gashi, Brikena Bulliqi, Ardea Qakmaku, Finesa Sylejmani dhe Vlera Bahtiri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat