Homazhe në Zvicër për 64 dëshmorët që ranë për lirinë e Kosovës

Zvicra

Homazhe në Zvicër për 64 dëshmorët që ranë për lirinë e Kosovës

Më: 13 dhjetor 2016 Në ora: 10:53
Ministri i Diasporës, Valon Murati

Në Cyrih të Zvicrës, u mbajt ekspozita homazh me portretet e 64 dëshmorëve që dhanë jetën për lirinë e Kosovës.

Organizuar nga Ministria e Diasporës, përkatësisht nga Qendra Kulturore në Zvicër, në Cyrih u mbajt ekspozita homazh me portretet e 64 dëshmorëve që dhanë jetën për lirinë e Kosovës. Në këtë ngjarje, në emër të institucioneve të Kosovës, ministri i Diasporës, Valon Murati, shprehu mirënjohjen e tij të thellë për kontributin e dhënë nga diaspora në të gjitha periudhat e zhvillimit të ngjarjeve në atdhe.

Sipas komunikatës për media, ushtruesja e detyrës së drejtorit të Qendrës Kulturore të Kosovës, Shukrije Ramadani, lexoi emrat e të gjithë dëshmorëve të evidentuar. Në fund, ministri Murati, bashkë me ambasadoren e Kosovës në Bernë, Nazane Breca, ndanë mirënjohje për aktivistë nga fusha të ndryshme që dhanë kontribut të veçantë në komunitet, sidomos në bashkëpunim me Qendrën e Kulturës së Kosovës në Zvicër.    

Murati gjithashtu, mori pjesë në konferencën e organizuar nga Kuvendi i Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë në Zvicër, në të cilën u diskutua për gjendjen e mësimit plotësues në Zvicër.

Murati, në fjalën e tij drejtuar pjesëmarrësve, konstatoi se gjendja e mësimit plotësues në Zvicër, sikur edhe në pjesën tjetër të diasporës, është e rëndë. Me këtë rast, ai garantoi vazhdimin e mbështetjes nga Ministria e Diasporës, si në aspektin e furnizimit me libra falas, ashtu edhe përmes vazhdimit të organizimit të aktiviteteve të ndryshme për fëmijët nga diaspora, në diasporë dhe atdhe. Ai kërkoi nga LAPSH-i që ta zgjerojë bashkëpunimin me të gjithë faktorët relevantë që mund të japin kontribut në këtë drejtim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat