Shqiptari rrezikon dhe fiton thuajse të pamundurën: Fiton leje qëndrimin pas njëzet vitesh ilegalitet në Zvicër

Zvicra

Shqiptari rrezikon dhe fiton thuajse të pamundurën: Fiton leje qëndrimin pas njëzet vitesh ilegalitet në Zvicër

Fitim Dika Nga Fitim Dika Më 28 shkurt 2017 Në ora: 11:27
Mensur Seferi (50)

Keni pasur mundësi të shumta në gazetën “Bota sot” të lexoni histori të dëbimit të familjeve dhe personave nga Zvicra pas më shumë se njëzet viteve qëndrim. Por ja që ndodh edhe e kundërta: Mensur Seferi (50) pas 20 vitesh ilegalitet në Zvicër pajiset me leje qëndrimi. 50 vjeçari nga Maqedonia me të drejtë emërtohet si shqiptari më fatlum në botë.

Personat të cilët nuk kanë leje qëndrimi të rregullt duhet të largohen nga Zvicra. Mund të ketë përjashtime nëse aplikimet janë me raste të rënda. Një përjashtim i tillë ka ndodhur edhe për Mensur Seferin nga Maqedonia. Ai studioi ekonomi në Universitetin e Prishtinës, por pas gjashtë muajsh si pasojë e kushteve financiare largohet me punë në Zvicër ku qëndron nga 1990 deri në 1996, shkruan “Berner Zeitung.”

Më pas ai kthehet përsëri në Zvicër dhe jeton kryesisht në kantonet Cyrih dhe Bern. “Unë nuk jam larguar nga Zvicra për njëzet vjet, pasi kisha frikë se nuk mund të vija prap,” thotë Seferi. Ai është i ulur në një restorant në Bernë dhe tregon historinë e tij. “Nuk ka ndonjë lumturi të cilën e kam bërë, pasi gjithmonë kam pasur frikë. Nuk kam guxuar as të sëmurem, pasi nuk mund të shkoja në spital. Megjithatë, shëndeti nuk më ka tradhtuar fatmirësisht”, ka vazhduar më tutje Seferi. Ai nuk kishte asnjë kontratë dhe gjithmonë ka punuar në ndërtimtari, derisa nuk ka bërë të ditur as punëdhënësit. Ai me profesion është gur gdhendës, ku ka arritur të gjejë punë edhe me 15 franga në orë, përcjell “Bota sot”.

50 vjeçari është i martuar me një grua shqiptare nga Maqedonia dhe ka dy fëmijë, të cilët nuk i ka parë duke u rritur, por është i kënaqur se ka mundur ti mbështesë financiarisht. Ata e kanë vizituar herë pas herë në Zvicër.

“Ëndrra m’u bë realitet”

Në vitin 2013 Seferi vendosi të kërkojë leje të qëndrimit. Këtë e kërkoi në Shoqatën “Beratungsstelle für Sans-Papiers”. Kërkesa e tij ishte shumë e rrezikshme, pasi nëse do t’i refuzohej do të dëbohej. Ai tregoi për jetën e tij në Zvicër, ku nuk kishte kryer krime dhe kishte punuar pa ndërprerë. Gjatë muajit të kaluar ndodhi mrekullia dhe erdhi leja e qëndrimit. “Ëndrra mu bë realitet. Unë e dua vendin këtu, për shkak të kulturës dhe njerëzve të respektuar. Si musliman gjithmonë kam qenë i mirëpritur,” thotë më tej 50 vjeçari fatlum. Me vizën B, tash ai mund të lëvizë lirshëm në gjithë territorin zviceran.

Çfarë do bëni tani? “Unë po mësoj intensivisht gjermanisht, për të pasur mundësi më të mira punësimi,” thotë ai duke qeshur me një gjermanishte të çalë. Mes tjerash ai do vizitojë shpesh familjen në Maqedoni, ndërsa fëmijët e tij nuk kanë ndërment të vendosen në Zvicër.

Frika për dëbim, Mensurit ju largua pas njëzet vitesh./Bota sot

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat