Kërkohet zgjatja e mandatit të Komisionit për zhvillimin e procesit të vlerësimit Kalimtar

Aktuale

Kërkohet zgjatja e mandatit të Komisionit për zhvillimin e procesit të vlerësimit Kalimtar

Më: 15 maj 2023 Në ora: 12:32
Foto nga vendi i ngjarjes

Komisioni Ad-hoc për Zhvillimin e Procesit të Vlerësimit Kalimtar po kërkon shtyrjen e afatit të mandatit. Kryetari i komisionit, Kujtim Shala ka thënë se puna në këtë fazë varet nga vlerësimi paraprak i Gjykatës Kushtetuese dhe se është e pamundur që të realizohen planifikimet që kanë bërë brenda gjashtë muajve.

Në mbledhjen e këtij komisioni, i njohur si procesi i vettingut, Shala ka thënë se duhet një afat shtesë por pa përcaktim kohor, ose shtyrje e mandatit për gjashtë muaj të tjerë.

Shala: Është e pamundur brenda mandatit të plotësojmë atë që kemi planifikuar

"Meqë puna e komisionit në këtë fazë varet në tërësi nga vlerësimi paraprak i Gjykatës Kushtetuese dhe meqë ende deri më tani nuk kemi përgjigje nga gjykata, është e pamundur që brenda mandatit prej gjashtë muajve, ne të arrijmë të plotësojmë, realizojmë gjithë ato që kemi planifikuar. Andaj propozoj që ne së bashku të diskutojmë çështjen e vazhdimit të këtij mandati të funksionimit të komisionit. Që ta kemi kuadrin ligjor pak më të plot, unë po i referohem nenit 45, paragrafit 4 të rregullores së kuvendit, i cili thotë ‘kuvendi brenda dy javësh nga diskutimi në kryesinë e kuvendit vendos që pas propozimit të kryesisë për detyrat, numrin, përbërjen dhe afatin kohor të veprimtarisë së një komisioni ad-hoc’”, ka thënë ai.

Shala ka dhënë dy propozime për mandatin e këtij komisioni, meqë në qershor do të përfundojë afati që i ka dhënë kuvendi.

Shala: Të kërkojmë edhe gjashtë muaj të tjerë mandat

Ne sot duhet të diskutojmë eventualisht edhe sa kohë na duhet që të përmbyllim këtë proces, por gjithmonë duke pasur parasysh që puna e këtij komisioni në këtë fazë varet drejtpërdrejt nga përgjigja e Gjykatës Kushtetuese. Tani ne kemi dy mundësi dhe unë po jap si propozim fillestar që ta diskutojmë dhe besoj që është shumë e dobishme që së pari të kërkojmë edhe gjashtë muaj të tjerë mandat, apo meqë nuk e dimë dhe Gjykata Kushtetuese ende nuk ka një kufizim kohor për trajtimin e këtyre draft-amendamenteve, që ne të kërkojmë mandat që lidhet me përmbylljen e gjithë procesit pa ndonjë kufizim kohor, nëse ka ndonjë bazë ligjore për këtë”, ka shtuar Shala.

Edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrusteni tha se puna e këtij komisioni varet nga shqyrtimi paraprak i draft-amendamenteve nga Gjykata Kushtetuese.

Rrustemi: Ne jemi të varur nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese

"Puna e këtij komisioni ka qenë e shtrirë në dy drejtime, në njërën anë draftimin e amendamenteve kushtetuese për të krijuar bazën kushtetuese për procesin e vlerësimit kalimtar dhe e dyta është puna në hartimin e projektligjit që buron nga këto amendamente kushtetuese. Ne kemi punuar paralelisht dhe amendamentet janë në Gjykatën Kushtetuese për tu vlerësuar në raport me kapitullin 2 të kushtetutës, por meqë Gjykata Kushtetuese nuk ka një afat të paracaktuar të shqyrtimit dhe të vlerësimit, ne jemi të varur edhe në kuptimin kohor, veçse në kuptimin material nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese”, ka shtuar Rrustemi.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra ka thënë se është mirë që të mos kufizohet afati kohor për mandatin e komisionit, por që një gjë të tillë mund të mos e pranojë kuvendi.

Deliu-Kodra: As komisionet tjera nuk kanë arritur që ta kryejnë funksionin e tyre brenda gjashtë muajve

“Prej praktikave parlamentare që kemi pasur deri më tani dhe komisionet tjera nuk kanë arritur që ta kryejnë funksionin e tyre brenda një gjashtë-mujori dhe pavarësisht që do të duhej të kishte një afat kohor të caktuar në mënyrë që këto komisione ta kryejnë punën e vet, praktika na ka dëshmuar që deri më tani është dashur që me një vendim të kuvendit t’i vazhdohet mandati edhe komisioneve të tjera ad-hoc për ta kryer punën e tyre, derisa ky mision i komisionit të përmbyllet”, u shpreh Deliu-Kodra.

Komisioni ad-hoc për zhvillimin e procesit të vlerësimit kalimtar ka vendosur që t’i drejtohet Kryesisë për procedimin e kërkesës në seancën e ardhshme, që komisionit i duhet një afat shtesë por pa kufizim kohor. 

Tutje, në kërkesën e anëtarëve të komisionit thuhet se nëse kryesia e kuvendit sheh ndonjë mospërputhje me rregulloren, të ketë shtyrje afatit për gjashtë muaj të ardhshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat