​Haxhiu mbështet marshin “Drejtësi, jo politikë”

Aktuale

​Haxhiu mbështet marshin “Drejtësi, jo politikë”

Më: 16 shkurt 2026 Në ora: 14:24
Foto nga takimi

Përfaqësuesit e platformës qytetare Liria ka Emër, Eliza Hoxha, Ismail Tasholli dhe Ridvan Emini, u pritën sot në takim nga kryetarja e re e Kuvenditë të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu.

Në njoftimin për media bëhet e ditur se në takim u diskutua për marshin qytetar “Drejtësi, jo politikë”, i cili do të mbahet nesër në Prishtinë, në mbrojtje të çlirimtarëve Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, dhe shokët e tyre që po gjykohen në Hagë, si dhe për rëndësinë e një mobilizimi dinjitoz në këtë moment vendimtar të procesit.

Eliza Hoxha theksoi se marshimi është shprehje e ndërgjegjes qytetare dhe e unitetit përtej dallimeve politike.

“Ky marsh është zë i qytetarëve për drejtësi dhe dinjitet. Është moment kur shoqëria jonë tregon se di të bashkohet për çështje që e tejkalojnë politikën,” u shpreh Hoxha.

Ismail Tasholli nënvizoi se pjesëmarrja masive do të jetë mesazh i qartë për respektimin e së vërtetës dhe të drejtësisë.

“Nesër, Prishtina do të jetë zëri i qytetarëve që kërkojnë drejtësi të paanshme dhe mbrojtje të vlerave të luftës çlirimtare,” tha Tasholli.

Nga ana e saj, Kryetarja e Kuvendit vlerësoi angazhimin e platformës dhe rëndësinë e mobilizimit qytetar në këtë moment.

“Ju përgëzoj për angazhimin dhe mobilizimin qytetar. Do të jetë një marsh madhështor, sepse kur bëhet fjalë për vlerat e luftës çlirimtare, UÇK-ja na bashkon të gjithëve”, tha Haxhiu.

Platforma “Liria ka Emër” falënderoi Kryetaren e Kuvendit për pritjen dhe diskutimin konstruktiv, duke ritheksuar thirrjen që nesër qytetarët të bashkohen në marshin “Drejtësi, jo politikë” në Prishtinë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat