Policia e Kosovës ka ndërmarrë masa të detajuara planifikuese, operative dhe parandaluese në kuadër të shënimit të 18-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.
Me rastin e kësaj dite të rëndësishme shtetërore, Policia ka hartuar një plan të veçantë operativ me qëllim që të sigurojë mbarëvajtjen e qetë dhe festive të të gjitha aktiviteteve, duke u mundësuar qytetarëve të festojnë në mënyrë të sigurt.
“Edhe këtë vit, 'Dita e Pavarësisë së RKS-së' do të shënohet me një varg ngjarjesh kulturore, aktivitete dhe manifestime të ndryshme, të cilat fillojnë më 16.02.2026 dhe vazhdojnë sipas agjendës shtetërore, përfshirë edhe aktivitetet qendrore të 17 Shkurtit. Në mesin e tyre është edhe parakalimi i Forca e Sigurisë së Kosovës dhe i Policisë së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Plani i veçantë operativ ka për synim mbajtjen e rendit dhe qetësisë publike dhe zbatimin e ligjit, shtimin e masave të sigurisë për të garantuar rend, qetësi dhe siguri publike, ofrimin e sigurisë së shtuar para, gjatë dhe pas zhvillimit të aktiviteteve të organizuara nga institucionet shtetërore, rritjen e nivelit të gatishmërisë policore në monitorim dhe reagim, në përputhje me zhvillimin e situatës, me qëllim ofrimin e sigurisë për të gjithë qytetarët në mbarë vendin.
Bazuar në agjendën shtetërore dhe organizimin e parakalimit të FSK-së dhe PK-së, në disa segmente rrugore të kryeqytetit do të ketë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit duke filluar nga ora 07:00.
“Rrugët e prekura janë Rruga “Fehmi Agani”, Rruga “Luan Haradinaj”, Rruga “Kostra Novakoviq”, Rruga “Tiranës” (segmenti te hekurudha – një korsi në kthim), Rruga “Robert Doll” (një korsi për parkimin e autobusëve dhe kamionëve për personelin e PK-së dhe FSK-së)”, thuhet në njoftim.
Me qëllim shmangien e kolonave dhe lehtësimin e qarkullimit, Polocia ka lutur qytetarët dhe pjesëmarrësit në trafik të shmangin këto rrugë dhe të përdorin alternativa të tjera.
“Njësitë policore të trafikut do të jenë në terren për të orientuar dhe asistuar qytetarët.Policia e Kosovës kërkon mirëkuptimin e plotë të qytetarëve dhe i falënderon për bashkëpunimin e vazhdueshëm”, përfundon njoftimi.