Kurti pas takimit me Abdixhikun: Ende nuk i kemi zgjidhjet
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka folur shkurtimisht për media pas takimit me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhikun, të cilët diskutuan rreth gjetjes së një pajtueshmëri rreth zgjedhjes së Presidentit.
Ai nuk dha përgjigje konkrete rreth nënshkrimeve për kandidaturën e Vjosa Osmanit.
“Ende nuk i kemi zgjidhjet, do t’ju njoftojmë nëse kjo bëhet së shpejti”, deklaroi ai para mediave.
Kurti takohet sërish me Abdixhikun
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, edhe sot është duke zhvilluar një takim me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku.
Takimi po mbahet në ambientet e Kuvendit të Kosovës dhe vjen në një moment të ndjeshëm politik, kur po zhvillohen diskutime rreth çështjes së presidentit.
Edhe pse nuk janë bërë të ditura detaje zyrtare, burime brenda institucioneve bëjnë të ditur se në fokus të bisedimeve pritet të jenë zhvillimet e fundit për presidentin dhe koordinimi ndërpartiak.
Ky takim shihet si vazhdim i përpjekjeve për të arritur konsensus mes pozitës dhe opozitës për tema me interes shtetëror, ndërsa mbetet të shihet nëse do të ketë ndonjë deklarim publik pas përfundimit të tij.