BioNTech, Moderna e Johnson po punojnë për vaksinën e re kundër Omicron

Bota

BioNTech, Moderna e Johnson po punojnë për vaksinën e re kundër Omicron

Më: 30 nëntor 2021 Në ora: 06:35
Foto ilustrim

Kompanitë BioNtech, Moderna, Johnson dhe Johnson (J&J) po punojnë për vaksinat që synojnë posaçërisht llojin e ri omikron të koronavirusit në rast se vaksinat ekzistuese nuk janë efektive kundër variantit të ri, thuhet në njoftimin e sotëm të këtyre kompanive.

Shfaqja e variantit të ri omicron ka shkaktuar reagime globale sepse të gjithë janë të shqetësuar se lloji i ri mund të përhapet shpejt edhe në mesin e të vaksinuarve, raporton Reuters. Si rezultat, kufizimet e udhëtimit dhe kufizimet e tjera epidemiologjike në mbarë botën janë rifutur.

Nga BioNTech erdhi konfirmimi se kompania, në bashkëpunim me partnerët e Pfizer, filloi punën për një vaksinë të përshtatur me variantin omicron.
Ndërkohë, kryeshefi ekzekutiv i Moderna, Stefan Bansel tha për CNBC se dorëzimi i vaksinës së re mund të zgjasë disa muaj, duke njoftuar se pas afërsisht dy javësh duhet të dihet shkalla në të cilën vaksinat ekzistuese janë efektive kundër variantit omicron.

J&J po vlerëson gjithashtu efektivitetin e vaksinës ekzistuese kundër COVID-19 në rastin e infeksionit me variantin omicron dhe në të njëjtën kohë është në kërkim të një vaksine specifike. “Ne kemi filluar punën për hartimin dhe zhvillimin e një vaksine të re kundër omicron dhe do ta avancojmë me shpejtësi dhe do të fillojmë studimet klinike nëse është e nevojshme,” tha Matai Mamen, kreu i departamentit të kërkimit global të J&J.

Një ekspert i sëmundjeve infektive nga Afrika Jugore tha se omicron, një variant i koronës, duket se është më i transmetueshëm se variantet e mëparshme, madje edhe te njerëzit me imunitet të fituar nga vaksinimi ose pas një infeksioni të mëparshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat