Putin pret Orbanin në Kremlin

Evropë

Putin pret Orbanin në Kremlin

Më: 1 shkurt 2022 Në ora: 11:38
Foto nga takimi

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban të martën (01.02) pritet në Moskë nga presidenti rus Vladimir Putin. Temë e bisedimeve do të jetë siguria në Europë, sikurse vë në dukje Kremlini, por edhe gazi rus dhe energjia.

Të dy politikanët Vladimit Putin dhe Viktor Orban takohen në kulmin e tensioneve mes Rusisë dhe Perëndimit për shkak të krizës së Ukrainës. NATO dhe shtetet perëndimore janë të shqetësuara dhe druajnë përgatitjet për një ndërhyrje të mundshme të Rusisë në vendin fqinj nisur nga lëvizjet masive të trupave ruse në kufirin me Ukrainën. Kremlini i hedh kategorikisht poshtë këto. Takimi i kryeministrit të Hungarisë si vend i NATO-s me kreun e shtetit të Rusisë mund të krijojë dizonancë në aleancën ushtarake perëndimore.

Orban synon të bisedojë në Moskë për furnizimet shtesë me gaz si dhe për projektin e përbashkët për energji bërthamore i planifilkuar në Hungarinë qendrore. Megjithatë kriza e Ukrainës nuk mund të anashkalohet në këto bisedime. Në një intervistë për media në Hungari në prag të kësaj vizite Orban theksoi, se "ne nuk mund të shmangim bisedimet për sigurinë në Europë, ku pozicioni i Hungarisë është mëse i qartë.  Ne jemi tërësisht për paqen". Orban tha gjithashtu, se do të zhvillojë bisedime për sigurinë me BE-në dhe NATO-n përpara se të takohet me kreun e shtetit të Rusisë.

Moment domethënës

Image
Takim Orban-Putin, shtator 2018

Daniel Hagedus, aktualisht studiues për Europën Qendrore pranë German Marshall Fund, vëren se koha e zgjedhur për këtë vizitë është domethënëse. „Ky është takimi i njëmbëdhjetë personal mes Putinit dhe Orbanit dhe në këtë moment ky është një mesazh simbolik ndaj Putinit, sepse i tregon atij që jo të gjithë kombet në BE i shmangen atij lidhur me krizën në Ukrainë. Një takim i ngjashëm është zhvilluar mes tyre edhe pas aneksimit të Krimesë më 2014, gjë që asokohe bëri të shtrohet pyetja mos vallë Hungaria është kali i Trojës së Kremlinit në Perëndim", thotë Hagedus për DW.

Por me këtë takim, Orban synon tani të vrasë dy zogj me një gur. Nga njëra anë ai është i interesuar për marrëdhëniet e veçanta mes vendit të tij me Rusinë. Nga ana tjetër në vigjilje të zgjedhjeve në Hungari ai synon të plotësojë nevojat e vendit me energji dhe do ta rrisë volumin e furnizimeve me gaz nga Kremlini", thekson eksperti Hagedus.

Qëkurse Orban ka ardhur në pushtet më 2010 ai ka zhvilluar rregullisht takime me Putinin dhe furnizimet me energji kanë luajtur rol kyç në të gjitha këto takime.

Interesi hungarez: rritja e furnizimeve vjetore me gaz

Sipas Andras Racz, studiues pranë Këshillit Gjerman për Marrëdhëniet me Jashtë, politika ekonomike e Orbanit për ta bërë vendin të pavarur në prodhimin e energjisë përfiton prej Kremlinit. „Më 2014 Hungaria nënshkroi një marrëveshje me Rusinë për korporatën e energjisë bërthamore Rosatom, për rritjen e kapaciteteve nuklare në Hungari me ndërtimin e dy centraleve. Projekti i llogaritur në vlerën e 10 miliardë eurove si një kredi nga Rusia është një element kyç në marrëdhëniet ekonomike mes Rusisë dhe Hungarisë", thekson Racz për DW.

Image
Peter Szijjarto

„Përpara kësaj marrëveshjeje Rosatom ka pasur projekte në mbarë botën jo vetëm në BE. Vendosja e kontratës me Hungarinë është mjaft e rëndësishme për prestigjin e kësaj kompanie, sepse duke treguar që ajo është e mirëpranuar në BE, kjo mund të nënkuptojë që sipërmarrja është mjaft e mirë për kudo tjetër." Ndonëse projekti ka pasur mjaft vonesa, ministri i Jashtëm i Hungarisë Peter Szijjarto, i tha agjencisë ruse të lajmeve Tass, se Hungaria shpreson „që ai do të hyjë në fazën e zbatimit në gjysmën e parë të vitit 2022.

Ministri hungarez Szijjarto tha gjithashtu, se rritja e furnizimeve vjetore me gaz do të jetë temë kryesore e bisedimeve me Putin, tani në kulmin e rritjes së çmimeve të energjisë në Europë. Në shtator 2021 Hungaria nënshkroi një kontratë afatgjatë me Gazpromin rus, që siguron furnizimin e 4,5 miliardë metra kub gaz të Rusisë në Hungari përmes Serbisë dhe Austrisë duke devijuar Ukrainën. Kjo marrëveshje e zemëroi Ukrainën, ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba është shprehur, se „kjo marrëveshje bie ndesh me interesat kombëtare të Ukrainës dhe marrëdhënieve me Hungarinë."

Dilema e Hungarisë

Takimi i Orbanit me Putinin ka indinjuar opozitën në Hungari, e cila javën e kaluar i bëri thirrje Orbanit ta anulojë takimin, duke argumentuar se bisedimet mund të kuptohen si një mesazh, që vendet anëtare të NATO dhe BE nuk janë unik në qendrimin ndaj Putinit. Përpos përpjekjeve të NATO-s edhe SHBA dhe BE janë duke diskutuar për sanksione të mundshme duke përfshirë ndalimin e tregtisë e madje edhe ndërprerjen e furnizimeve me energji. Studiuesi Hagedus thotë, se edhe pse sanskionet janë duke u diskutuar në tryezë, Orban e di se çfarëdo që të bëjë ai për të zbutur krizën kjo duhet të jetë e harmonizuar me interesat e vendit të tij. „Europa Lindore është e varur fort prej gazit nga Rusia dhe Orbani e di që një invazion në Ukrainë mund të çojë në ndërprerjen e furnizimit me gaz." „Hungria ndjek pak a shumë një politikë të jashtme multilaterale. Një ndërhyrje në Ukrainë mund ta vendosë atë në një pozitë të vështirë duke qenë anëtar në NATO e njëkohësisht edhe në BE ai do duhet të ruajë ekuilibrin mes Perëndimit dhe njëkohësisht të dëgjojë edhe Kremlinin për të ruajtur raportet e tyre të veçanta.”/DW

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat