Johnson dhe Putin do të bisedojnë për Ukrainën

Evropë

Johnson dhe Putin do të bisedojnë për Ukrainën

Më: 2 shkurt 2022 Në ora: 10:41
Presidenti rus, Vladimir Putin dhe kryeministri britanik, Boris Johnson

Presidenti rus, Vladimir Putin dhe kryeministri britanik, Boris Johnson më 2 shkurt do të zhvillojnë një bisedë telefonike lidhur me krizën në Ukrainë.

Biseda ndërmjet Putinit dhe Johnsonit vjen në në kohën kur përpjekjet diplomatike janë shtuar, që kanë për qëllim uljen e tensioneve lidhur me grumbullimin ushtarak rus në afërsi të Ukrainës. Perëndimi ka shprehur shqetësimin se Moska mund të jetë duke u përgatitur për një pushtim të mundshëm.

Johnson e vizitoi Kievin më 1 shkurt dhe u takua me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskiy.

Kryeministri britanik tha se grumbullimi i trupave ruse në kufijtë e Ukrainës “është ndoshta demonstrimi më i madh i armiqësisë ndaj Ukrainës që kemi parë ndonjëherë”.

Johnson paralajmëroi se Britania e ka të gatshme një pako të sanksioneve dhe masa të tjera, që do t’i shfrytëzojë “në momentin që këmba e ushtarit të parë rus futet në territorin e Ukrainës”.

Ai po ashtu tha se shtetet perëndimore janë të prirura që të angazhohen në dialog, po shtoi se “ne i kemi sanksionet gati”. Johnson sërish i bëri thirrje Rusisë që të tërhiqet dhe të zgjedhë rrugën e diplomacisë, duke thënë se një gjë e tillë është ende e mundshme.

Rusia mohon se është duke u përgatitur që ta sulmojë Ukrainën dhe ka kërkuar garanci të sigurisë, që kanë të bëjnë me zotimin për mospranimin e Ukrainës në NATO dhe që kjo aleancë ushtarake të mos zgjerohet në drejtim të lindjes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat