Zelensky, Bidenit: Bëhuni udhëheqës i paqes

Evropë

Zelensky, Bidenit: Bëhuni udhëheqës i paqes

Më: 16 mars 2022 Në ora: 15:03
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, më 15 mars 2022.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, nisi fjalimin para Kongresit të Shteteve të Bashkuara, duke thënë se vendi i tij “është në luftën më të keqe që nga Lufta e Dytë Botërore”.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA, Nancy Pelosi, e prezantoi atë, duke thënë se Kongresi amerikan ka “respekt, admirim dhe vlerësim të madh” për udhëheqjen e tij “të guximshme”.

“Lavdi Ukrainës”, tha ajo.

Duke folur përmes video-lidhjes nga Kievi, Zelensky tha se qyteti është nën sulme të përditshme raketore dhe ajrore nga Rusia, porse “nuk dorëzohet”.

Ai tha se Ukraina përpiqet t’i përgjigjet këtij “terrori” dhe kërkon vendosjen e zonës së ndalim-fluturimit.

“A është kjo shumë për t’u kërkuar?”, pyeti Zelensky.

Nëse është, ai tha se kërkon sistem të mbrojtjes kundër sulmeve ajrore.

Vendet anëtare të NATO-s, deri më tani, kanë refuzuar të vendosin zonën e ndalim-fluturimit mbi Ukrainë, duke argumentuar se një gjë e tillë do të mund ta përshkallëzonte konfliktin në përmasat e një lufte botërore.

Zelensky tha se “Rusia e ka kthyer qiellin e Ukrainës në një burim vdekjeje për mijëra njerëz”.

“Rusia nuk e ka sulmuar thjesht vendin tim, por ajo ka bërë një ofensivë brutale kundër vlerave tona”, shtoi ai.

Zelensky po ashtu tha se “Ukraina është mirënjohëse” për ndihmën ushtarake dhe ekonomike që i është ofruar, por shtoi se ka nevojë për më shumë.

Ai e vlerësoi gjithashtu “përfshirjen personale” të presidentit amerikan, Joe Biden, në ofrimin e ndihmës.

Duke iu drejtuar homologut amerikan, Zelensky tha:

“Paqja në vendin tuaj nuk varet më vetëm nga ju dhe nga populli juaj. Kjo varet nga ata që keni pranë, nga ata që janë të fortë”.

Zelensky tha se njerëzit e tij po “luftojnë për vlerat e Evropës dhe botës”, si dhe për vlerat e tyre.

“President Biden, ju jeni udhëheqësi i vendit tuaj. Shpresoj se do të jeni udhëheqësi i botës. Të jesh udhëheqës i botës do të thotë të jesh udhëheqës i paqes”, tha Zelensky.

Ai i bëri thirrje Kongresit që të bëjë më shumë, duke vendosur më shumë sanksione kundër Rusisë, derisa, siç tha, “sulmet ruse të ndalen”.

Zelensky sugjeroi sanksionimin e të gjithë politikanëve në Federatën Ruse.

“Të gjitha kompanitë amerikane duhet të largohen menjëherë nga tregu rus, sepse ai është i përmbytur me gjakun tonë”, tha ai.

Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, pasi nuk ka marrë garanci nga NATO-ja se nuk do të zgjerohet më në lindje.

Perëndimi e ka dënuar ashpër sulmin dhe ka ndërmarrë një varg sanksionesh kundër Rusisë.

Delegacionet e palëve ndërluftuese janë të angazhuara në bisedimet për paqe, por deri më tash nuk ka ndonjë rezultat.

Mbi 3 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina që nga nisja e pushtimit rus, gati tri javë më parë.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat