Hummels paralajmëron ekipin

Futboll

Hummels paralajmëron ekipin

Më: 28 maj 2024 Në ora: 19:55
Dortmundi

“Veterani” i prapavijës së Borusia Dortmund, Mats Humels, ka folur në prag të finales kundër Real Madrid, e vlefshme për kompeticionin e Champions-it. Humels ka dashur të paralajmërojë të tijtë, se madrilenët nuk thyhen lehtë, pavarësisht se mund të gjenden në disavantazh.

“SENATORI” HUMELS – “Real Madrid është ekipi që e njeh më mirë nga të gjithë Ligën e Kampioneve. Ata janë mjeshtrit e këtij kompeticioni dhe jo më kot e kanë fituar plotë 14 herë, ndonëse në etapa të ndryshme. Diktati i tyre është pasqyruar edhe në vitet e fundit.

Do të jetë fantastike t’i mposhtim. ‘Galaktikët’ kanë afro 40 vite që s’humbasin në finalen e kësaj gare dhe ne kemi shansin e madh për ta bërë diçka të tillë. Komponenti që më tremb më shumë te rivali ka të bëjë me mentalitetin. Edhe kur duket se gjithçka është mbyllur, gjejnë forcën për ta kthyer situatën në favorin e tyre dhe marrin rezultatin. Kështu që edhe nëse e nisin keq ndeshjen, mos u lumturoni para kohe, sepse rreziku është aty.

Nuk kam asnjë dyshim, goli më i bukur që është shënuar nga ekipi ynë në Champions i takon Marsel Zabicer kundër Atletiko Madrid. Ai po jep temp të lartë dhe është ambientuar në mënyrë të jashtëzakonshme me grupin. Dua t’u them tifozëve se Dortmundi është gjithçka për mua. E vështirë për ta përkufizuar ndjesinë e të qenurit pjesë e një prej klubeve më të mëdha në botë me tifozërinë më elektrizuese. Kam kaluar 13 vite të karrierës sime në këtë stadium me plot momente të ndryshme. Kurrë s’kam për ta ndërruar klubin me asgjë.

Të shpresojmë se trofeu më i rëndësishëm në rang klubesh do të bëhet i yni në mbrëmjen e datës 1 qershor”, përfundoi Mats Humles. Lojtari 35-vjeçar u shpall dy herë radhazi futbollisti i ndeshjes në ballafaqimet me PSG-në, jo vetëm në bllokimin e hapësirave në prapavijë, por edhe në repartin goditës, teksa shënoi golin fitores në “Parc des Princes” kundër Mbapesë me shokë. Por çuditërisht Nagelsman nuk e zgjodhi në listën prej 26 lojtarësh të Gjermanisë për “Euro 2024”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat