Kriza te Manchester United po thellohet. Humbja e fundit nga Atletico Madridi, deklaratat e ashpra të Lisandro Martinezit kundër drejtuesve të klubit dhe tensionet brenda skuadrës, i kanë shtuar dyshimet për të ardhmen e trajnerit Michael Carrick.
Sipas raportimit të “Tuttomercatoweb“, në rast të ndryshimit në stolin e “Djajve të Kuq”, Antonio Conte është njëri nga emrat që mund ta marrë drejtimin e skuadrës angleze.
Lisandro Martinez i kritikon drejtuesit e klubit
Mbrojtësi argjentinas, i njohur si “Licha”, doli në mbrojtje të Carrickut, duke e vënë në pikëpyetje njëkohësisht punën e drejtuesve të klubit dhe investimet e bëra gjatë verës.
“A mund të kishte bërë më mirë Carrick? Nuk besoj. Ai e bëri më të mirën. Prisja më shumë investime gjatë verës”, deklaroi Martinez pas humbjes 2-0 ndaj Atletico Madridit.
Argjentinasi kërkoi gjithashtu më shumë përgjegjësi nga drejtuesit. “Pres më shumë nga drejtori ynë teknik. Nëse nuk ndryshojmë, sezoni i ardhshëm do të jetë një problem i madh. Vazhdojmë të ndryshojmë trajnerët, por çfarë ndodh me sektorët e tjerë? Është e lehtë të flasim gjithmonë për trajnerin dhe lojtarët, por a nuk duhet të shikojmë edhe pjesët e tjera të klubit?”, u shpreh ai, sipas deklaratave të publikuara nga “Daily Mail”.
Carrick nën presion, Conte në pritje
Drejtuesit e Manchester Unitedit po e shqyrtojnë situatën, por sipas raportimit nuk është marrë ende një vendim përfundimtar për të ardhmen e Carrickut.
Klubi i drejtuar nga Sir Jim Ratcliffe nuk do ta dëshironte një tjetër ndryshim në stol, megjithatë rezultatet e dobëta dhe tensionet e krijuara po e bëjnë situatën gjithnjë e më të vështirë.
Unitedi i ka grumbulluar vetëm gjashtë pikë në gjashtë ndeshjet e para të kampionatit, duke u pozicionuar në vendin e 13-të të Premier League.
Në këtë situatë, emri i Antonio Contes po përmendet gjithnjë e më shumë. Trajneri italian, i cili i ka drejtuar më parë Chelsean dhe Tottenhamin në Angli, do të ishte i gatshëm të pranonte një ofertë nga Manchester Unitedi edhe gjatë sezonit.
Tashmë, e ardhmja e Carrickut pritet të varet edhe nga rezultatet e ardhshme, ndërsa Manchester Unitedi po përballet me një tjetër periudhë të vështirë në përpjekjen për t’u rikthyer në nivelet më të larta të futbollit anglez.